Ligji i Buxhetit të rishikuar është dërguar në Presidencë, a do ta kryejë Qeveria pagesën 170-euroshe?


Kuvendi i Kosovës ka dërguar sot në Presidencë për dekretim projektligjin e votuar për rishikimin e Buxhetit të vitit 2020. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, tha se Qeveria nuk e ka prioritet pagesën prej 170 eurove për qytetarët që kanë aplikuar, ndërsa ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo pagesë do të ekzekutohet pasi të dekretohet ligji nga Presidenti.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 është miratuar në lexim të dytë të enjten e kaluar në Kuvendin e Kosovës me 72 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.


Me rishikimin e buxhetit të vitit 2020 janë mobilizuar mbi 600 milionë euro, prej tyre 232 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave tatimore dhe 385 milionë euro për zbatim të plotë të Pakos Emergjente Fiskale dhe të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Pagesa prej 170 eurove pritet të bëhet nga ana e qeverisë pas hyrjes në fuqi të projektligjit për rishikimin e buxhetit 2020.

Projektligjin për rishikimin e buxhetit të vitit 2020, Kuvendi i Kosovës pas gjashtë ditësh miratimi e ka dërguar sot në Presidencë.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i tha Gazetës Express se projektligji për rishikimin e buxhetit është dërguar sot te presidenti.

“Është dërguar sot”, ka thënë ai shkurt.

Gazeta Express ka pyetur zyrën e Presidencës se kur pritet që presidenti Thaçi të dekretojë këtë projektligj por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati i tha Gazetës Express se në votimin e projektligjit për rishikimin e buxhetit për vitin 2020 deputetët e koalicionit qeverisës kanë votuar kundër amendamentit prej 80 milionë eurosh i propozuar nga Vetëvendosje i cili do të siguronte se kjo shumë do të përdorej vetëm për pagesat e 170 eurove.

Murati tha se qeveria mund të bëjë pagesën e 170 eurove pas hyrjes në fuqi të projektligjit për buxhetin, por kjo varet nga vullneti dhe prioritizimi që ata i bëjnë qytetarëve e që sipas tij qeveria nuk e ka prioritet ndihmën ndaj qytetarëve.

“Mjafton fakti që ishte koalicioni qeverisës që votoi kundër amendamentit prej 80 milionë euro, i propozuar nga ne, i cili do të siguronte se këto para do të përdoreshin vetëm për pagesat e 170 eurove. Pra ata nuk e kanë prioritet ndihmën ndaj qytetarëve ashtu siç pretendojnë, se përndryshe do ta kishin votuar amendamentin në fjalë. Tani, meqë amendamenti për pagesën e 170 eurove nuk është votuar, pagesat mund të bëhen, por kjo varet kryekëput nga vullneti i qeverisë dhe prioritizimi që ata do të bëjnë”, ka thënë Murati në një përgjigje për Gazetën Express.

Murati tutje ka thënë se pagesat prej 170 euro kanë mundur të kryhen në fillim të qershorit por qeveria Hoti me qëllim e ka zvarritur këtë proces për ta fajësuar opozitën.

“Pagesat prej 170 euro kanë mundur të kryhen që në fillim të qershorit, siç ka qenë plani i qeverisë Kurti, mirëpo qeveria jolegjitime që erdhi në pushtet  qëllimisht e ka zvarritur këtë çështje duke u munduar që ta hedhë fajin tek opozita për ta arsyetuar mospunën e vet”, tha ai.

Murati po ashtu u shpreh se si Komision për Buxhet dhe Transfere kanë shqyrtuar rishikimin e buxhetit në afat rekord dhe tani është në dorën e qeverisë që t’i përmbushë obligimet e saj.

“Si Komision për Buxhet, ne kemi shqyrtuar rishikimin e buxhetit dhe amendamentet në afat rekord. Kanë qenë rreth 130 kërkesa e amendamente të cilat janë shqyrtuar. Tani është në dorën e qeverisë t’i përmbushë obligimet që ka marrë përsipër”, u shpreh deputeti i VV’së.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pas votimit të buxhetit të rishikuar ka thënë se menjëherë pas dekretimit të Ligjit nga Presidenti do t’i ekzekutojnë pagesat e pakos së kaluar.

“Si Ministri e Financave, kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që menjëherë pas dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, të ekzekutojmë pagesat për masat e pakos së kaluar. Përmes buxhetit të rishikuar, jemi siguruar që të ruajmë stabilitetin makrofiskal, të financojmë sektorin e shëndetësisë për t’u përballur me sukses me pandeminë COVID19, dhe të rigjallërojmë aktivitetin ekonomik në vendin tone”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Presidenti i Kosovës në bazë të Kushtetutës ka kohë tetë ditë pasi të ketë pranuar ligjin për ta dekretuar.

Nëse presidenti brenda tetë ditëve pas marrjes së ligjit nuk merr vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur pa nënshkrimin e tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Sipas Kushtetutës Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës përveç nëse me vet ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Projektligji i rishikuar parasheh buxhet 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Nga 108 amendamente sa ishin propozuar për t’u votuar, gjithsej 47 prej tyre u miratuan nga deputetët kurse 41 amendamente nuk kaluan. /GazetaExpress/