Getoar dhe Blendoar Kryeziu janë vëllezërit binjakë me prejardhje nga Suhareka që janë duke bërë karrierë në futboll në Gjermani dhe atë me shumë sukses.
Në moshën 7 vjeçare ata u larguan nga Kosova për ta vazhduar jetën në Gjermani pranë familjes së tyre dhe menjëherë filluan të merreshin me futboll, shkruan Reporteri.net
Getoari, i cili erdhi ne jetë vetëm 5 minuta para Blendoarit luan në pozitën e sulmuesit, ku gjatë një sezoni kishte shënuar 43 gola.
Binjakët që kanë vetëm nga 16 vite mbi supet e tyre aktualisht janë pjesë e FC Speyer 09, derisa deri tani ata janë treguar shumë të suksesshëm duke qenë lojtarët kryesor në skuadrat e tyre si dhe kanë fituar edhe trofe.
Të dy binjakët që nga fëmijëria kanë qenë tifozë të Barcelonës, ku Getoari si futbollist të preferuar tani e ka Adama Traoren, ish-lojtarin e Barçës që sot luan te Wolves.
Blendoari idol e ka Xavin dhe aktualisht mban numrin 6, ashtu siç e mbante legjenda e katalunasve dikur.
Në një rrëfim ekskluziv për Reporterin vëllezërit binjakë kanë folur për karrierën e tyre dhe dëshirën për të luajtur me Kombëtaren e Kosovës në të ardhmen.
“Ne kemi filluar të luajmë futboll me vëllaun tim qysh në fëmijëri. Është shumë ndjenjë e bukur për mua kur vëllau asiston në golat që i shënoj unë,” rrëfen Getoari.
Getoari gjatë një sezoni sa kishte qenë pjesë e SV 1925 Ruchheim kishte realizuar 43 gola, derisa ëndrra e tij është që të shënojë gola një ditë edhe me fanellën e Kosovës.
“Unë ëndërroj që një ditë të luaj dhe të shënoj gola për vendin tim. Unë do ta refuzoja edhe Gjermaninë vetëm për të luajtur për Kosovën,” shtoi tutje Getoari.
Blendoari për dallim nga Getoari luan në pozitën e mesfushorit defanziv dhe sigurisht është njëri nga më të mirët në skuadrën e tij.
Ai shquhet për sigurinë që ka me topin, driblimet, ndërhyrjet në kundërshtarin si dhe pasimet e gjata.
Blendoari shpesh ka shënuar gola të bukur edhe nga gjuajtjet e lira.
“Që nga fëmijëria unë kam ëndërruar që të bëhem futbollist. Klubi im i preferuar është Barcelona, derisa idoli im është Xavi. Është një ndjenjë e veçantë të luash së bashku me vëlluan në një skuadër, e aq më shumë kur e dinë se të dy kemi lindur në të njëjtën ditë,” ka thënë fillimisht Blendoari për Reporterin.
Blendoari ashtu si Getoari janë kontaktuar nga Kombëtarja e Shqipërisë, por dy binjakët ëndërrojnë fanellën Dardane.
“Unë i përcjelli ndeshjet e Kosovës me shumë gëzim. Më pëlqejnë se si luajnë dhe ëndërroj që një ditë të kem mundësinë edhe unë ta përfaqësoj vendin ku kam lindur. Unë dhe vëllai im Getoari do të punojmë fortë që të arrijmë të luajmë për vendin tonë,” shtoi tutje Blendoari.
“Ka pasur interesim nga Kombëtarja e Shqipërisë, por ne kemi lindur në Kosovë dhe jemi rritur aty, kështu që do të preferonim që të luajmë për vendin ku kemi kaluar një pjesë të fëmijërisë dhe nuk e harrojmë asnjëherë edhe pse jetojmë në Gjermani,” përfundoi Blendoari. /Reporteri.net/