Tahiri pas vizitës në Trustin pensional: Pas tri jave mund të nisin aplikimet për tërheqjen e 10 për qindëshit

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Tahiri pas vizitës që i bëri sot Trustit Pensional ka bërë të ditur se në bazë të planifikimeve, diku pas tre jave mund të nisin aplikimet për tërheqjen e kursimeve, prej 10 për qind.

Tahiri pas takimit me drejtorin e Trustit, Ardian Zalli tha se procedura e aplikimit do të jetë online, e thjeshtë, duke e marrë parasysh situatën me pandeminë.

“Procedura e aplikimit do të jetë e thjeshtë. Do të jepet numri personal dhe i xhirollogarisë, kjo verifikohet nga BQK-ja dhe paratë e Trustit, 10 për qindëshi do të jetë në xhirollogari të përfituesit, atij që aplikon”, bëri të ditur Tahiri.

Ai tha se janë dike mbi 630,349  persona që janë pjesë e kësaj skeme, raporton Telegrafi.

Duke treguar procedurat, Tahiri tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike është në Kuvend, do të diskutohet në Komision, pastaj do të shkojë në Kuvend për miratim.

“…Para tri jave nuk mund të kryhet…”, tha Tahiri, duke shtuar se ideja e marrjes së 10 për qindëshit është stimulimi i ekonomisë.

Sipas tij, nëse kjo punë fillon nga shtatori e tutje, hyjnë rreth 200 milionë euro hyjnë në qarkullim në tregun e Kosovës.

“Trusti ka përgatitur një platformë online dhe besojmë që do të jetë gati nëse miratohet ligji dhe hyn në fuqi brenda dy jave dhe do të jetë gati”, tha ai, raporton Telegrafi.