Sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, me votat e deputetëve, Vilard Bytyqi u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), me mandat 5 vjeçar.
Deputetet e Kuvendit votuan për Vilard Bytyqin dhe Driton Muharremin, teksa në garë për anëtarë të KGjK-së ishin edhe Hashim Çollaku e Hasim Sogojeva.
Por, kush është Vilard Bytyqi?
Vilard Bytyqi, i lindur më 1988, është profesor në Fakultetin e Sigurisë Publike, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Studimet bachelor i ka përfunduar në vitin 2011, në Fakultetin Juridik ku kishte qenë tri herë bursist dhe dy herë ishte shpallur student i dalluar.
Pas dy viteve kishte marrë titullin master në drejtimin Penal të Fakultetit Juridik për të doktoruar pastaj në vitin 2018 me disertacionin me titull: “E drejta për gjykim të drejtë në procedurën penale në Kosovë”.
Përveç angazhimeve akademike në mësimdhënie, Bytyqi ka ushtruar dhe ushtron edhe disa funksione të rëndësishme në kuadër të fakultetit si: Udhëheqës i Grupit Punues për hartimin e kurikulave të trajnimit profesional dhe programin bachelor për Policinë e Kosovë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës; Përgjegjës i Departamentit (Profilit) Policor; Anëtarë i Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Zhvillimore të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike 2019-2022, si dhe funksione dhe përgjegjësi të tjera.
Ai ka qenë i angazhuar edhe në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren si profesor i jashtëm për tri vite me radhë (2016-2019).
Bytyqi i ka të publikuara gjithsej 6 punime shkencore në revistat me recension ndërkombëtar. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare dhe në shumë vizita studimore ndërkombëtare./Gazeta Sinjali/