LiriaVazhdon edhe më tutje të jetë një nga temat më të përmendura ditëve të fundit.Fjala është për çështjen e Vedat Muriqit, i cili pritet të zyrtarizohet te Lazio brenda pak kohësh, përcjell GazetaBlic.
Ai do të kalojë nga Feneri në kryeqytetin italian për shumën prej 20 milionë eurove, ku nga kjo shumë 2 janë bonuse.
Ish-skuadrat, Besa e Kavajës e Teuta e Durrësit pritet të fitojnë shuma të majme parash, por jo edhe Liria, e cila e rriti futbollistin, dhe që sipas rregulloreve të UEFA-së, skuadra apo shkolla e futbollit e cila e kalit lojtarin, përfiton 5% të secilit transfer ndërkmbëtar.
Megjithatë, Liria nuk e ka ndërmend të dorëzohet lehtë. Madje, klubi “bardhë e zi” ka angazhuar edhe avokatë ndërkombëtarë për ta mbyllur këtë çështje.
Sekretari i klubit, Bashkim Kajdomqaj, në një prononcim për “GazetaBlic” shpalosi edhe të ashtuquajturën pasaportë futbollistike, të cilën e ka siguruar nga shtëpia numër një e futbollit kosovar.
Aty shkruan se Muriqi me numër të librezës “ID 7242” për herë të parë është regjistruar si lojtar i Lirisë.
“Nuk e di çka mund të ketë ndodhur sa ka qenë në Besë e në Teutë, por ajo që është e rëndësishme, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj pune. Secilin transferim që e ka kryer pas vitit 2013, kur edhe e ka marrë fletëlëshimin nga unë, Liria duhet të përfitojë. Veçse kemi angazhuar edhe avokatë ndëkombëtarë për ta mbyllur këtë çështje, e për të cilën besojmë se do të jetë në favorin tonë, sepse ligjet dhe rregulloret e UEFA-së thonë ashtu”, tha ndër të tjera Kajdomqaj.