Pep Guardiola do të qëndrojë në Manchester City 100 për qind, sipas menaxherit të tij, Josep Maria Orobitg, i cili këmbëngul se rikthimi i tij në Barcelonë është i pamundur në këtë kohë.
Barcelona pritet ta konfirmojë së shpejti shkarkimin e trajnerit Quique Setien pas turpërimit që ia bëri Bayern Munich duke e mundur 8:2 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe për Guardiolën është përfolur si ndër kandidatët e mundshëm për ta zëvendësuar atë, transmeton Gazeta Express.
Setien u emërua trajner i Barçës në janar, si zëvendësues i Ernesto Valverdes së shkarkuar, por dështoi plotësisht duke e humbur garën për titull në La Liga ndaj rivalit Real Madrid, edhe pse e kishte epërsinë e pikëve dhe duke u turpëruar në garën më të madhe evropiane për klube.
Barça nuk guxon të gabojë përsëri në zgjedhjen e trajnerit të ri, prandaj emri i trajnerit të tanishëm të Manchester City Guardiolës është përmendur në mesin e kandidatëve të mundshëm.
Është thënë se Barcelona mund ta thërrasë Guardiolën ta shpëtojë klubin në kohën kur i duhet më së shumti.
49-vjeçari i kishte kaluar katër sezone të paharrueshme në postin e trajnerit të Barcelonës duke korrur sukses të papërsëritshëm me stilin e tij tiki-taka.
Guardiola ka kontratë me të kaltrit e Premierligës deri në vitin 2021, por pritet ta vazhdojë atë edhe më gjatë, që nënkupton se ai nuk do të kthehet te rrënjët e veta tani për tani.
“Pep do të qëndrojë në City 100 për qind”, ka thënë Orobitg për Goal.
/Gazeta Express/