Osmani sot ia dorëzon ligjin për pandeminë Thaçit, a do ta shpallë presidenti?

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e ka nënshkruar ligjin për luftimin e pandemisë COVID 19. Këtë ligj që do të rregullojë anën ligjore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë sot administrata e Kuvendit do ta dorëzojë në Presidencë. Ende nuk dihet nëse i pari i shtetit, Hashim Thaçi do të shpallë këtë ligj, apo, do ta kthejë përsëri te deputetët, shkruan Gazeta Express.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka nënshkruar ligjin për pandeminë, që ditë më parë është votuar edhe në lexim të dytë në Kuvend të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express, Artan Murati këshilltar i kryeparlametares Vjosa Osmani.

Nga kabineti i Osmanit kanë thënë për gazetën se ligji do të dorëzohet nga Kuvendi sot në Presidencë.

“Kryetarja e Kuvendit ka nënshkruar ligjin në fjalë dhe i njëjti do të dorëzohet sot në presidencë nga administrata e Kuvendit”, ka thënë Murati, duke shtuar se nuk ka pasur vonesa në nënshkrim të ligjit.

“Nuk ka ndonjë vonesë në nënshkrim. Seanca e së premtes ka përfunduar në orët e vona të natës, rrjedhimisht administrata nuk ka arritur që ta përfundojë punën në amandamente dhe ta përgatis për nënshkrim atë natë. Sot ka përfunduar puna e administratës dhe Kryetarja e ka nënshkruar ligjin”, thonë nga zyra e kryeparlamentares, duke shtuar se sapo të përfundojë përkthimi i materialit, do të përcillet te presidenti për nënshkrim.

“S’ka asnjë vonesë, sepse as një ditë e plotë pune nuk ka kaluar nga seanca e së premtes”, ka thënë këshilltari i kryeparlamentares.

Se në presidencë nuk ka arritur ende për nënshkrim ligji për pandeminë e kanë konfirmuar sot gjatë ditës për Express edhe nga kabineti i të parit të shtetit. Megjithatë, nuk kanë sqaruar qëndrimin e tyre karshi këtij ligji, e nëse ekziston mundësia që ta kthejnë përsëri në Kuvend.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mund të mos e nënshkruajë ligjin, duke vendosur kështu që i njëjti të kthehet përsëri te deputetët.

Nga KDI thonë se Thaçi pas dorëzimit nga Kuvendi ka kohë 8 ditë që të vendos nëse do ta shpallë ose jo.

“Pas miratimit në lexim të dytë të projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë javën e kaluar, ka filluar rrjedhja e afateve ligjore për hyrjen në fuqi të këtij ligji. Që nga e premtja, kur u votua ky projektligj, Kryetarja e Kuvendit ka 10 ditë kohë që të nënshkruaj versionin e konsoliduar të ligjit, që përfshin edhe rreth 30 amandamentet e miratuara gjatë leximit të dytë. Pas nënshkrimit, ligji dërgohet për shpallje tek Presidenti i vendit, i cili do të ketë kohë 8 ditë që ta shpallë atë, apo eventualisht t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë për Gazetën Express, Eugen Cakolli nga KDI.

“Sidoqoftë, marrë parasysh rëndësinë e hyrjes sa më të shpejtë në fuqi të këtij ligji, si dhe meqenëse votimi i projektligjit është bërë duke reflektuar konsensus të gjerë politik dhe nuk janë shfaqur kundërshtime ndaj përmbajtjes së tij, pres që të mos konsumohen afatet maksimale për shpalljen e këtij ligji, as nga Kryetarja e Kuvendit, e as nga Presidenti i vendit”, thotë Cakolli.

Sipas ligjit, presidenti i Kosovës ka të drejtë vetëm një herë që ta kthejë ligjin në Kuvend, derisa, nëse nuk e nënshkruan herën e dytë atë, ai shpallet në Gazetë Zyrtare dhe bëhet i vlefshëm pesëmbëdhjetë ditë pas publikimit nëse me ligj nuk përcaktohet ndryshe. Presidenti ende nuk e ka sqaruar nëse do ta shpallë të njejtin.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten kanë miratuar në lexim të dytë ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19, që ishte propozuar nga një grup prej gjashtë deputetëve, në krye me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ligji ka vetëm tetë nene, derisa në të thuhet se ‘ligji ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë”.

Ky ligj që ka kaluar me 77 vota pro në Kuvend, rregullon anën ligjore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Në bazë të tij, të gjithë personat që nuk vendosin maskë dhe nuk mbajnë distancë dënohen me nga 35 euro gjobë. Ata që nuk e respektojnë ndalim qarkullimin dënohen me 200 euro derisa, personat e infektuar apo dyshuar që nuk qëndrojnë në izolim dënohen me 500 euro gjobë.

Në Kosovë aktualisht lidhur me situatën e pandemisë veprohet në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Në këtë ligj bazohen edhe dënimet në rast të mosrespektimit të vendimeve./GazetaExpress/