Një udhëtim kurioz, që tregon vendosshmëri, krenari për identitetin e thellë, nacional dhe rugovian.
Se një lider historik e deshi me përulësi dhe zemër, pa hile, pavarësisht se shumë të tjerë, e përdorin thjesht si manir politik, për të përfituar poena, gradime, zënie pozitash pa asnjë meritë, dhe në fund duke vendosur dhe pozicionuar krejtësisht kundër parimeve dhe koncepteve politike të Ibrahim Rugovës.
Ish luftëtari i Koshares dhe pjesëmarrës në luftërat tjera shqiptare, në Maqedoni dhe në Kosovë Lindore, Sadat Fejza, ia ka dal që ta valojë flamurin dardan, jo vetëm nëpër rrugët e gjata drejt perëndimit, si në Itali, Austri, Francë e Zvicër, por edhe nëpër shtetet që nuk duan të na njohin kurrë si shtet e si komb, si Bosnja e Hercegovina.
Këto ditë të nxehta vere teksa po kthehej nga vendlindja e tij Mogilla e Vitisë, Sadati, do t’i binte mes përmes me flamurin dardan në veturën e tij, edhe Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë. Por, Bosnja, do të ishte një betejë, ku serbët urrejtës të shqiptarizmës, nuk donin ta lejonin të kalonte me flamurin presidencial të Rugovës. Mbi 10 orë aty mbetë thuaja i ngujuar. Edhe kroatët kishin provuar t’ia heqnin flamurin nga vetura, por më kot!
“Nëpërmjet Malit të Zi, kalova pa problem. Policia malazeze nuk më ka thënë asgjë. Por, kur arrita tek kufiri i Republikës SERRPSKA në Bosnje, shtet ky që nuk e njeh as Kosovën, as pasaportat, e as tabelat e Republikës së Kosovës, më ndaluan për shkak të flamurit Dardan”, thotë Fejza, i cili ka themeluar edhe një radio-tv online në Zvicër, me premisa për ta dëgjuar shqiptarët kudo nëpërmjet internetit.
“Pavarësisht mbajtjes mbi 10 orë në kufirin e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk u zmbrapsa nga kërkesa këmbëngulëse e policisë së Bosnjës, që ta heqja flamurin Dardan, të vendosur mbi makinë”, thotë Fejza.
Por, pavarësisht pengesave edhe në kufirin në Kroaci ku tentuan t’ia hiqnin flamurin, ai me kembëngulje refuzoi, dhe e vazhdoi rrugëtimin për në Zvicër.
“Prapë pas diskutimeve këmbëngulëse të mia me policinë dhe oficerët e policisë kroate, të cilët mbërrinën në vendin e ngjarjes, u vendos që flamuri të mos heqet, sepse flamuri është i ngjitur në makinë dhe nuk mundet të heqet edhe po të duash. Dhe kështu pas 30 orëve udhëtim mbërrina në Zvicër”, përfundon tregimin e tij me shumë peripeci, Sadat Fejza, i mërguar tashmë disa vite në këtë shtet europian.