Bizneset kërkojnë zbatimin sa më të shpejtë të masave të rimëkëmbjes

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një konferencë virtuale me Zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri, në të cilën u diskutua e ardhmja e ekonomisë së Kosovës, me theks të veçantë në rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19. Gjatë këtij diskutimi përfaqësuesit e bizneseve anëtare të Odës Amerikane patën mundësinë të shpalosnin shqetësimet e tyre dhe të ofronin rekomandime përkatëse për përkrahjen e nevojshme nga Qeveria.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, potencoi nivelin e dëmeve që pandemia COVID-19 ka shkaktuar mbi funksionimin e shtetit në përgjithësi si dhe ndikimin negativ mbi sferën e shëndetit publik dhe atë të ekonomisë. Sipas Zëvendëskryeministrit, problemi kryesor me të cilin janë ballafaquar deri më tani ka qenë sigurimi i buxhetit të mjaftueshëm për të mbyllur hendeqet e ndryshme dhe rënien drastike të të hyrave shtetërore, ku ai shtoi se brenda strategjisë për rimëkëmbje ekonomike tanimë janë miratuar fonde specifike për qasje në financa për të gjitha palët e goditura. Tahiri tha se vendimmarrja e Qeverisë e cila lidhet me aktivitetet ekonomike, edhe pse në konsultim të ngushtë me sektorin privat është mjaft e vështirë për shkak të nevojës së ruajtjes së shëndetit publik. Ai tha se përmes Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, me të cilin tashmë publiku është i familjarizuar, synohet të stimulohet qarkullimi i parasë në ekonominë e vendit duke disbursuar mjete edhe tek sektori privat por edhe tek skema sociale.

“Tani jemi në muajin gusht, dhe synimi jonë është që në këta dy muaj në shtator dhe tetor, me kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje të ndihmojmë sa më shpejtë dhe në mënyrë sa më efikase mbi bazën e parimeve dhe vendimeve që i kemi marrë, disbursimin e mjeteve tek sektori privat mirëpo dhe te skemat sociale’’, potencoi Zëvendëskryeministri Tahiri.

Erëmal Bajrami, menaxher i përgjithshëm në kompaninë KFC dhe njëherit kryesues i Komitetit të Gastronomisë dhe Turizmit të Odës Ekonomike Amerikane, foli mbi disa nga sfidat me të cilat po përballet ky sektor. Sipas tij, industria e gastronomisë sfidën më të madhe e ka kufizimin e lëvizjes së qytetarëve deri në ora 22:30, dhe gjithashtu ndalimin e shfrytëzimit të pishinave në hapësirat e jashtme, ndërsa lejohen ato në hapësirat e brendshme. Ai foli edhe për tatimin në vlerën e shtuar për këtë sektor, i cili në Kosovë është i njejtë me TVSH-në për produkte apo shërbime të tjera, kur sipas tij në fakt duhet të jetë më e ulët siç është në shtetet e tjera. Ai mes tjerash prezantoi edhe dokumentet e Komitetit të Gastronomisë dhe Turizmit për përkrahjen për ndërmarrjet e këtij sektori i cili është njëri ndër më të goditurit në Kosovë.

Kryesuesit e komiteteve dhe anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane u shprehen se pavarësisht që shuma monetare e pakos së rimëkëmbjes është më modeste kundrejt asaj që është pritur, kërkohet që me urgjencë të nisë zbatimi i pakos së masave të rimëkëmbjes.
Ata u bënë apel deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që me procedurë të shpejtë të aprovojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, si dhe projektligjet e tjera të natyrës ekonomike.

Bizneset u shprehën se në shumë sektorë situata aktuale është më e vështirë tash se pas vendosjes së masave kufizuese, pavarësisht lehtësimit të masave, dhe neglizhenca e deputetëve të Kuvendit po çon në depresion të thellë ekonomik.

GazetaBlic