Sekretari i LDK-së: Kosova ka nevojë për unitet politik, jo për Ramushin President

Sekretari i LDK-së z.Urim Suka ka komentuar kandidaturën e kreut të Aleances për Ardhmërin e Kosovës z.Ramush Haradinaj. Ai në një postim në Facebook u shpreh se Kosova ka nevojë për unitet politik, jo për Ramushin President.

Ky është postimi i plotë:

Kosovës ka nevojë për unitet politik, jo për Ramushin President

Klima politike që mbretëron kohëve të fundit në skenën politike të vendit tonë është për keqardhje. Partitë politike janë në pikën më kritike mes njëra tjetrës, mosbesimi mes tyre është tejet i lartë, e për më keq mosbesim ka edhe brenda subjekteve politike.

Nominimi i liderit të AAK- së për postin e Presidentit në këtë fazë nuk do t’i mundësonte krijimit të një klime bashkpunimi mes palëve, përkundrazi do të rriste mosbesimin dhe luftën politike mes akterëve politik në vend. Ramushi në një fazë ka dhënë shumë për Kosovën, por në fazën e ndërtimit të demokracisë dhe institucioneve të dala nga zgjedhjet Ramushi ka marrë më shumë se që ka merituar, bazuar në proceset elektorale. Sot, Ramushi duhet të dijë se nuk është koha e tij. Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për unitet politik, e jo për Ramushin President.

Kosova ka para vetës disa tema të cilat ka disa vite që kanë ngecur e për pasojë ka ngecur edhe prespektiva evropiane e zhvillimore e vendit. Këto tema kërkojnë unitet politik për t’u përmbushur dhe për të krijuar një prespektivë të re për vendin dhe qytetarët e tij.

Procesi i përmbylljes së bisedimeve me Serbinë është në një fazë kritike dhe kërkon unitetin e plot të faktorit politik kosovar karshi kësaj teme.

Problemet e ballafaqimit me pandemin dhe ndikimi i saj në shëndetin e drejtpërdrejt të qytetarëve tanë dhe ekonomisë së vendit tonë, janë probleme që domosdoshmërisht kërkojnë bashkpunimin e faktorit politik në vend.

Në një situatë të tillë, me qëllim të zgjidhjes së këtyre temave në interes të qytetarëve dhe me qëllim të krijimit të një prespektive evropiane, integruese e zhvillimore të vendit tonë, forcat politike duhet që:

  1. Të ulen në një tryezë të përbashkët për t’i dhënë drejtimin e duhur vendit karshi temave nacionale me të cilat po ballafaqohet vendi ynë viteve të fundit.
  2. Të unifikojnë qëndrimet e tyre karshi bisedimeve me Serbinë, të hartojnë një platformë të përbashkët për dialog dhe ta përmbyllin suksesshëm këtë proces.
  3. Të unifikojnë qëndrimet rreth ballafaqimit me pandemin dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Sot, qytetarët tanë kanë shumë nevojë për dorën e shtetit, andaj bashkpunimi mes akterve politik është jetik për mbrojtjen e interesit të qytetarëve gjatë kësaj pandemie.
  4. Në këtë fazë që po kalon vendi dhe me qëllim të krijimit të një klime bashkpunimi është e domosdoshme që Kosova të ketë një President konsensual, Ramushi duhet të dijë se nuk është koha e tij.
  5. Në fund, të dakordohen për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare të cilat do të duhej të mbaheshin pas përmbylljes së bisedimeve me Serbinë dhe përfundimit të pandemisë ( Pranvera e vitit 2022 do të ishte afati i fundit për organizimin e zgjedhjeve).
  6. Vetvendosje dhe PDK t’i bashkohen qeverisë ose këto procese t’i mbështesin nga opozita, në Parlament, si dhe përmes tryezave të përbashkëta me qëllim të përmbylljes së temave me interes nacional dhe krijimin e një prespektive evropiane e zhvillimore për vendin. Pas të cilave do të krijoheshin kushtet e favorshme për organizimin e zhgjedhjeve nacionale.

Partitë politike duhet ta bëjnë këtë jo për interesa të tyre, por për interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo klimë politike duhet të ndryshojë. Krijimi i prespektivës evropiane dhe zhvillimore për vendin kërkon me patjetër këtë bashkpunim. Është në dorën e partive politike që ta tejkalojnë vetvetën dhe interesat e ngushta të tyre për të jetësuar interesin qytetar.

Unë personalisht e kam të vështirë të besoj që shumica e partive tona janë të gatshme të punojnë për interesat e qytetarëve para atyre prtiake. Unë personalisht dyshoj që politika jonë mund të unifikohet shpejt. Por unë jam tejet i bindur që në këtë fazë që po kalon Kosova, vetëm të bashkuar mund të mbrojmë interesat e qytetarëve tanë. Mbetët të shihet se si do të ecin partitë tona në përmbylljen e proceseve jetike për vendin.

Urim SUKA