Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, vlerëson se publikimi i fakteve përmes dokumenteve zyrtare të shtetit serb lidhur me rastin e zhdukjes së një prej intelektualëve dhe mendimtarëve më të shquar politik të Kosovës, profesor Ukshin Hotit, tregon qartë se në aparatin shtetëror serb gjendet jo vetëm origjina e krimeve të kryera në Kosovë, por edhe përpjekja për fshehjen e tyre.
Ismaili ka thënë se ky rast, si dhe mijëra raste të tjera të masakrave, dhunimeve, e vrasjeve të civilëve nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës në Kosovë, të cilat nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare, ndërsa janë fshehur me qëllim nga shteti serb, e bën të pashmangshëm krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, një iniciativë kjo që ka kohë që është ndërmarrë nga Kryetari i PDK, Kadri Veseli.
Deklarata e plotë e sekretarit të PDK-së, Uran Ismaili:
Logjika dhe praktika e fshehjes së krimeve të kryera nga shteti serb, të cilat mbajnë peng drejtësinë për viktimat dhe fatin e të pagjeturve, u dëshmua sërish, kësaj radhe në Emisionin “Udhëve” të RTK-së, lidhur me rastin e zhdukjes së një prej intelektualëve dhe mendimtarëve më të shquar politik të Kosovës, profesor Ukshin Hotit.
Ky dokumentim tregon qartë se në aparatin shtetëror serb gjendet jo vetëm origjina e krimeve, por edhe përpjekja për fshehjen e tyre.
Pavarësisht kësaj përpjekjeje sistematike për fshehjen e krimeve, dokumentimi i krimeve në përmasa të gjenocidit të kryera nga ushtria dhe policia serbe është evident dhe i prekshëm pothuajse në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Qasja e deritashme e komunitetit ndërkombëtar në raport me përgjegjësinë e shtetit serb për t’i vënë para drejtësisë të gjithë akterët e krimeve në përmasa të gjenocidit që ka ushtruar regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit është zhgënjyese.
Ky rast, si dhe mijëra raste të tjera të masakrave, dhunimeve, e vrasjeve të civilëve nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës në Kosovë, të cilat nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare, ndërsa janë fshehur me qëllim nga shteti serb, e bën të pashmangshëm krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, një iniciativë kjo që ka kohë që është ndërmarrë nga Kryetari Kadri Veseli dhe nga PDK.
Ne jemi angazhuar dhe do të angazhohemi për drejtësi të pakompromis për të gjitha viktimat e regjimit serb të Millosheviqit dhe nuk do të heqim dorë nga kërkesa për vënie para përgjegjësisë për secilin individ dhe strukturë ushtarake, policore e paramilitare që kanë dorë në vrasjen, masakrat, dhunimin dhe zhdukjen e civilëve shqiptarë.
GazetaExpress