VENDIM I BORDIT TË FBK-SË PËR SHTYRJEN E FILLIMIT TË EDICIONIT TË RI

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare, sot unanimisht ka marrë vendim që të shtyjë fillimin e edicionit të ri në basketboll 2020/21.

Edicioni i ri në basketboll ka qenë i programuar të fillojë më 16.09.2020 me ndeshjet e Superkupës së Kosovës në të dyja konkurrencat dhe më pas të vazhdojë me garat e edicionit 2020-2021.

Bordi i FBK-së ka marrë vendim që të shtyjë fillimin e edicionit të ri për një muaj, më saktësisht që edicioni i ri të fillojë më 14.10.2020, kur edhe do të organizohen ndeshjet e Superkupës së Kosovës. Ndeshjet e play-outit gjithashtu do të shtyhen për një muaj.

Ky vendim është marrë duke parë gjendjen momentale të pandemisë COVID-19 në vendin tonë, por edhe pas konsultimeve me autoritetet përkatëse në nivel vendor dhe në pajtim me udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë duke pasur në vëmendje dhe radhë të parë shëndetin e lojtarëve, trajnerëve, punëtorëve sportivë dhe të gjithë akterëve të përfshirë në organizimin e garave të basketbollit, si dhe karakteristikat e sportit tonë.

Po ashtu ne presim nga institucionet tona që varësisht prej situatës me pandeminë COVID-19 të marrin vendim për lejimin e zhvillimit të stërvitjeve në mënyrë që klubet tona të fillojnë ngadalë, por sigurtë përgatitjet për edicionin e ri.

Federata e Basketbollit e Kosovës e ka përgatitur Udhëzuesin për Rikthimin në Fushat e Basketbollit (versionin 3.0) dhe në momentin që Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim për lejimin e zhvillimit të stërvitjeve (dhe më pas edhe garave), atëherë FBK do t’i pajisë të gjithë anëtarët e saj me këtë Udhëzues, i cili do të jetë udhërrëfyes për ruajtjen e shëndetit të të gjithë basketbollistëve/eve, zyrtarëve të ekipit, zyrtarëve të ndeshjeve dhe gjithë komunitetit të basketbollit në vendin tonë.

Ky vendim hyn në fuqi në datën e miratimit të tij nga Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës.