Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.A., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës i pandehuri S.A. e ka privuar nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje ka vë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë, në atë mënyrë që më 26.01.2020, në fshatin Maqitevë, Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri SH.K., vëllait të tij, fillimisht fillojnë të fjalosen, më pas shkon te kamioneta e tij e merr pushkën gjysmë automatike dhe në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit SH.K., dhe e godet fillimisht në fytyrë i cili rrëzohet në tokë, e pastaj deri sa ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç’rast i shkakton tetë plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Në njoftim po ashtu thuhet se i pandehuri S.A. në kundërshtim me Ligjin ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, me numër serik 41216. /Telegrafi/