Policia e Kosovës e ka arrestuar një burrë 70 vjeç, i cili për 6 vjet me radhë, duke iu paraqitur si hoxhë e kishte shfrytëzuar seksualisht një grua nga Prishtina
Sipas burimeve të Reporteri.net rasti është paraqitur dje nga gruaja me inicialet Z.K.
Ngjarja kishte filluar në vitin 2014, kur gruaja kishte shkuar te qytetari Bislim Goliqi nga Prishtina. i cili i ishte paraqitur asaj si hoxhë që shkruante hajmali.
“Viktima ka raportuar se i dyshuari Bislim Goliqi i është prezantuar si Hoxhë i cili merret me hajmali. Sipas viktimës, ajo kishte shkuar te ky person për një hall të vetin dhe pastaj i dyshuari e ka shfrytëzuar seksualisht prej vitit 2014 duke e dërguar nëpër motele”, thotë ky burim i Reporteri.net.
Kur gruaja kishte dashur ta ndërpresë këtë marrëdhënie, i dyshuari kishte shkuar dhe e kishte kërcënuar atë dhe familjarët e saj duke ua kërkuar të gjitha paratë që i kishte shpenzuar me të.
“Tani pasi viktima nuk ka dashur të vazhdojë me këtë person i dyshuari e ka kanosur viktimën dhe familjarët e saj duke i kërkuar që viktima të ia kthente të gjitha paratë që i kanë harxhuar së bashku”, ka thënë ky burim.
Në konsultim me prokurorin kujdestar rasti iniciohet si kanosje dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.