Vodhi në dy xhami të Malishevës, arrestohet 19-vjeçari nga Drenasi

Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni policor – Malishevë, ka pranuar informatё- njoftim nga viktima – ankuesi, Imam i Bashkësisë Fetare dega ne Malishevë, se më 24 gusht rreth orës 23:00, personi i panjohur ka hyrë më depërtim në brendi të xhamisë dhe me forcë ka hapur kutinë që ishte e vendosur brenda xhamisë për mbledhjen e parave që përdoren për çështje bamirësie – fetare, dhe një shumë të konsideruar parash i ka vjedhur.

Njësia e hetimeve pranë Stacionit Policor – Malishevë, pas njё pune intensive operativo-hetimore dhe të suksesshme, ka arritur tё identifikojë dhe tё arrestojë tё dyshuarin, G. G., i lindur me 2001, nga Drenasi.

Pas shoqërimit të të njëjtit në lokalët e Stacionit policor, dhe gjatë procesit te marrjes në pyetje në prezencë të avokatit, dhe ballafaqimit me prova që lidhën me rast, i njëjti ka pranuar se ka kryer këtë vepër penale.

Po ashtu gjatë marrjes në pyetje dhe ofrimit të dëshmive i njëjti ka pranuar se dhe në vitin 2018 kishte kryer edhe një tjetër vjedhje në xhaminë e fshatit Dragobil të Malishevës.

Me urdhёr tё Prokurorit tё shtetit, i dyshuari pas intervistimit ndalohet në ndalim policor pёr 48 orё./kp/

Telegrafi