Bota mund të jetë një hap më afër sigurimit të një vaksine kundër koronavirusit pasi vaksina potenciale e Universitetit të Oksfordit është futur në fazën përfundimtare të testimit në Shtetet e Bashkuara.
Gjiganti britanik i ilaçeve, AstraZeneca, i cili i ka të drejtat e vaksinës, tha se i ka siguruar 30,000 vullnetarë amerikanë për të marrë pjesë në fazën e tretë të testimit klinik, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Kjo nënkupton që gjithsej 50,000 persona në mbarë botën do të marrin pjesë në këtë proces, ku pritet të vërtetohet nëse vaksina e emërtuar AZD1222 mund ta parandalojë sëmurjen e njerëzve me Covid-19.
Mijëra vullnetarë tashmë e kanë marrë vaksinën eksperimentale në Britaninë e Madhe, Brazil dhe në Afrikën Jugore. Ata janë duke u monitoruar nga shkencëtarët.
Profesoresha e Universitetit të Oksfordit, Sarah Gilbert, që është një ndër hulumtueset kryesore në projektin për zbulimin e vaksinës, tha se të dhënat preliminare nga këto shtete mund të priten në javët e ardhshme.
Komptania AstraZeneca tha se testime të tjera janë planifikuar edhe në Japoni, ku ka pasur një valë të dytë të virusit, dhe në Rusi, ku më shumë se një milion njerëz janë prekur nga Covid-19.
Gjiganti britanik ka arritur marrëveshje me kompaninë Oxford Biomedica për prodhim masiv të vaksinës, nëse dëshmohet se ajo është efektive. Vlera financiare e marrëveshjes është 15 milionë funte.
GE