Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në familjen Hasanaj në fshatin Llapqevë të Malishevës. Babai 61-vjeçar ka plagosur djalin 26 vjeç. Ndërkohë, ai po mbante peng dhjetë anëtarë të familjes, të cilët i kishte kërcënuar me vrasje. I dyshuari kishte qenë nën ndikim të alkoolit. Express sjell detaje nga kjo ngjarje
Mbrëmja e së mërkurës për pak sa nuk u shndërrua në tragjedi për një familje nga fshati Llapqevë i Malishevës.
Atje, babai 61-vjeçar shkrepi një plumb mbi trupin e djalit 26-vjeçar, të cilit i shkaktoi plagë të rënda.
Tri gëzhoja plumbash u gjetën në vendngjarje.
Pas plagosjes së djalit, N.H. mori peng dhjetë anëtarë të familjes, në mesin e të cilëve tre fëmijë.
Pasi kishte dalë nga dhoma ku po mbante peng anëtarët e familjes, ata e kishin mbyllur derën, ndërkaq i zoti i shtëpisë i kishte kërcënuar me vrasje.
I dyshuari e kishte lajmëruar vetë policinë për krejt këtë ngjarje, të cilëve iu kishte thënë se ka vrarë dikë prej familjes.
Për t’i shpëtuar anëtarët e familjes të cilit po mbaheshin peng, u desh edhe intervenimi i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Ndërhyrja e tyre pati sukses, pasi të gjitha pengjet u shpëtuan pa ndonjë lëndim.
Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka treguar për Express se i dyshuari ka rezultuar nën ndikim të alkoolit.
“I dyshuari N.H 61 vjeç pas arrestimit ka rezultuar nën ndikim të alkoolit. I njëjti me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë ndërsa vepra penale e dyshuar është cilësuar si vrasje në tentativë. Në vendngjarje është gjetur një revolver Magnum me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, ka deklaruar Graishta.
Graishta tha se 26-vjeçari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
“Viktima L.H 26 vjeç për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit, pas ndihmës së parë në QKMF është transportuar për në QKUK Prishtinë”, ka thënë Graishta./GazetaExpress/