Trumpi i gatshëm për të gjithë, synon ndërmjetësim në mosmarrëveshjen kufitare Kinë – Indi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se vendi i tij është i gatshëm që të ofrojë ndihmë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Kinës dhe Indisë në lidhje me kufirin malor në Himalaje.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se situata mes dy fuqive aziatike është shumë e keqe, duke shtuar se dy shtetet janë duke iu qasur problemit më fuqishëm sesa e kupton shumica e njerëzve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Të dyja vendet dërguan forca shtesë në kufirin mes tyre pas përleshjes së përgjakshme që ndodhi në qershor, kur 20 ushtarë indianë u vranë gjatë për përplasjes pa armë zjarri me kolegët e tyre kinezë.

Të premten, ministrat e Mbrojtjes të Indisë dhe Kinës zhvilluan bisedime që ishin të nivelit më të lartë që nga rritja e tensioneve në muajin maj.

Sipas një burimi të qeverisë amerikane, Kina dhe India nuk janë të interesuara që këtë mosmarrëveshje ta çojnë deri në pikën kur mes tyre do të fillonte lufta.

I pyetur rreth kësaj mosmarrëveshjeje gjatë një konference për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan tha se Uashingtoni është duke biseduar me të dyja vendet për atë se si do të mund të ndihmonte për zgjidhjen e situatës.

“Ne qëndrojmë të gatshëm të ndihmojmë sa u përket Kinës dhe Indisë. Nëse mund të bëjmë ndonjë gjë, ne do të donim të përfshiheshim dhe të ndihmojmë”, tha ai.

Sidoqoftë, Kina ka thënë se nuk ka nevojë për një palë të tretë për të ndërmjetësuar, ndërsa edhe India është shfaqur e ftohtë për këtë ide.

GE