Sot, më 7 shtator, në orën 12:00, në Kuvendin e Kosovës shënohet 7 Shtatori, respektivisht 30-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut. Në këtë solemnitet do të marrin pjesë delegatë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës që morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut. Shkaku i masave anti COVID-19, mediat mund ta përcjellin aktivitetin nga Galeria e sallës së Kuvendit të Kosovës. Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë. Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua Deklarata e Pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të Millosheviqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
RKL