Amatorizëm total në Superligë: Federata u thotë klubeve ndoshta luani sot, ndoshta jo!

Çudirat në futbollin e Kosovës nuk kanë fund as tani kur Kombëtarja e Kosovës po e kërkon kualifikimin në Kampionatin Evropian dhe kur UEFA ua ka hapur dyert e garave evropiane klubeve më të suksesshme të kampionatit kosovar.

Por, brenda për brenda Kosovës ky kampionat i organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdimisht prodhon skandale, amatorizëm dhe çudira nga më të ndryshmet, shkruan Gazeta Express.

Diçka e ngjashme po ndodh ende pa filluar mirë edicioni i ri. Kampionati 2020-2021 planifikohej të fillonte më 12 shtator.

Por, pastaj FFK-ja kishte njoftuar se kampionati shtyhet për një javë derisa ta marrë lejen e institucioneve shtetërore, të cilat i kishin ndërprerë aktivitetet sportive shkaku i pandemisë. Kështu, kampionati planifikohej të fillonte sot prej orës 16:00 me ndeshjen ndërmjet Trepçës ’89 dhe Arbërisë.


Por, kur kanë mbetur vetëm edhe katër orë deri te orari i planifikuar shtëpia e futbollit ende nuk e ka lëshuar asnjë njoftim nëse kampionati do të fillojë apo do të shtyhet sërish. Për më tepër, FFK-ja i ka lënë pezull edhe dy klubet që do të duhej të takoheshin sot në Mitrovicë, duke mos i njoftuar zyrtarisht, e duke u thënë jo zyrtarisht të bëhen gati për lojë.

“Nuk e di ende nëse do të luajmë sot apo jo. Sot Federata na ka thirr dhe na ka thënë se në ora 12:30 vjen televizioni për t’i bërë gati gjërat për transmetim të ndeshjes. Na thanë ndoshta luhet ndoshta nuk luhet ndeshja. Kjo është joserioze dhe kjo nuk ndodh askund në botë. Neve tash na duhet t’i thërrasim lojtarët për drekë që duhet të kryhet tri-katër orë para ndeshjes dhe t’u themi ejani se ndoshta luajmë ndoshta nuk luajmë”, deklaroi për Gazetën Express presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Njëjtë shprehet edhe drejtori i Arbërisë, Labinot Gashi. “Zyrtarisht nuk e kemi asnjë njoftim nga FFK-ja. Por, jo zyrtarisht na është thënë të jemi të gatshëm dhe të udhëtojmë në Mitrovicë. Kështu që ne sot udhëtojmë pa e ditur nëse do të luhet apo jo ndeshja. Kjo është maltretuese për ne si skuadër”, tha Gashi për Gazetën Express.

Në shtete tjera kampionatet kanë filluar tashmë dhe përgatitjet ishin bërë herët, madje edhe detaje, konform rregullave anti-Covid-19.  

/GazetaExpress/