Klubet e Superligës së Kosovës, Llapi dhe Ballkani, kanë pranuar së fundmi një donacion nga Federata e Futbollit e Kosovës, donacion i ardhur nga shtëpia më e madhe e futbollit evropian – UEFA, shkruan “Zeri.info”.
Në një takim të mbajtur ditë më parë në mes klubeve dhe FFK-së është vendosur që Llapit dhe Ballkanit t’u ndahen mjete financiare për fushat e tyre.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka konfirmuar lajmin për “Zeri.info”.
“Stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ është në fazën e punimeve. Për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19 punimet kanë ngecur sa u përket tribunave. Kryetari Nexhmi Rudari ka premtuar se shumë shpejt do të kryhen punimet në vendosjen e tribunave në pjesën lindore të stadiumit. Stadiumi do të jetë me tribuna në të gjitha anët. Me vendosjen e tribunave do të përfundojë faza e dytë. Në fazën e tretë do të jetë vendosja e barit natyral, që është donacion nga Federata e Futbollit e Kosovës. Në takimin e fundit me FFK-në, Llapin dhe Ballkanin e kanë përkrahur të gjitha klubet që të ndahen donacioni i ardhur nga UEFA për dy klubet tona, në mënyrë që edhe ne të kemi fusha me bar natyral. Ne kemi dërguar njerëz në Pirot të Greqisë për ta parë si afërmi barin dhe koston që t’ia dërgojmë FFK-së dhe pas miratimit të vazhdojmë me punime”, ka deklaruar Tahir Batatina për “Zeri.info”.
“Sa i përket fazës së tretë, do të jetë vendosja e reflektorëve që të mos luajmë më në orën 14:00, por në 20:15. Jemi dakorduar për një gjë të tillë me kryetarin e Komunës së Podujevës Nexhmi Rudarin dhe me vëllezërit e mi, që janë donatorë në klub”, pohoi Batatina.
Llapi dhe Ballkani janë klube që në vitet e fundit kanë investuar maksimalisht.
Këto skuadra në edicionin e ri të Superligës e synojnë titullin kampion ose daljen në Evropë.
Korrekt Sport