Bordi i FBK-së miraton udhëzuesin e ri për organizimin e Final 8 dhe Superkupën e Kosovës

Bordi i Federatës Basketbollit të Kosovës (FBK) së fundi i ka miratuar dy dokumente shumë të rëndësishme.

Bëhet fjalë për Udhëzuesin e Ri për Organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës dhe Udhëzuesin për Organizimin e Superkupës së Kosovës.

Organizatorët e Final 8 Kupës së Kosovës dhe Superkupës së Kosovës duhet t’i përmbahen me përpikëri këtyre Udhëzuesve gjatë organizimit të këtyre eventeve.

Të dyja dokumentet janë hartuar nga Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, e cila i është përmbajtur kritereve për organizim të eventeve të FIBA-s dhe Rregullores së Garave të FBK-së.

Dokumentet mund ti gjeni në faqen zyrtare të FBK-së (Legjislacioni-Dokumentet).

Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“FINAL 8 KUPA E KOSOVËS është gara më prestigjioze, e cila organizohet nën ombrellën e Federatës së Basketbollit të Kosovës, andaj edhe kërkohet organizim me kritere të larta për këtë event. Ndërhyrja në Udhëzuesin për Organizimin e Final 8 Kupës së Kosovës, i cili është miratuar para disa viteve ka qenë më se e domosdoshme, pasi gjërat kanë ndryshuar dukshëm në aspektin e organizimit të këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm për FBK-në edhe pse atëherë kur është përgatitur për herë të parë gjithçka ka qenë e përshtatur me kritere të FIBA-s të asaj kohe.

Sa i përket Udhëzuesit për Organizimin e Superkupës së Kosovës, ky dokument është hartuar për herë të parë dhe ka qenë më se i nevojshëm, andaj organizatorët e ardhshëm duhet të përgatitin këtë event konform këtij Udhëzuesi.

Unë jam shumë krenare që prej vitit 2017 e tutje kam pasur rastin të jem në krye të organizimeve të ndeshjeve ndërkombëtare të Përfaqësueses A të Kosovës nën ombrellën e FIBA-s dhe të dy FIBA Kampionateve Evropiane në Prishtinë dhe me këtë rast kam fituar përvojë për organizime të tilla, andaj për mua nuk ka qenë e vështirë hartimi i këtyre Udhëzuesve, por edhe përshtatja me realitetin në vendin tonë.

Të dy këta Udhëzues do t’ju shërbejnë shumë Organizatorëve në organizimin e këtyre eventeve”. /Telegrafi/