Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, është shpallur fajtor nga Gjykata në Prizren për vrasjen e të riut Jetmir Aliaj në Suharekë.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm nga trupi gjykues
Shefki Spahiu, që deri ditën kritike mbante gradën e rreshterit në Policinë e Kosovës, u gjykua për veprën penale vrasje e rëndë.
Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock” që ishte arma zyrtare, dhe të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.
Kurse për veprën penale manipulim me prova qysh në fillim të gjykimit i akuzuari Spahiu kishte pranuar fajësinë.
Në një seancë të gjatë më datën 30 korrik i akuzuari Shefki Spahiu për herë të parë është deklaruar për ngjarjen e ndodhur më shumë se 1 vit më parë.
I njëjti duke folur për momentin kritik kishte thënë se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, por sipas tij pas fjalosjes me të ndjerin: “Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë në video”, kishte deklaruar i akuzuari Shefki Spahiu.
Mes lotësh e shumë emocion, kishte dëshmuar edhe Halil Aliaj, babai i të ndjerit.
“Jemi sëmurë nga dhimbja e madhe që kemi”, kishte treguar ai duke arsyetuar lotët që s’po i ndaleshin.
Kallxo