Të hënën, më 28 shtator, në gjykatoren e Gjykatës Speciale do të paraqitet për herë të parë një person, pesë vjet pasi u themelua kjo gjykatë e Kosovës me seli në Hagë të Holandës.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga zona e Llapit, Salih Mustafa, do të jetë i akuzuari i parë i cili del para një trupi gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Seanca e parë do të mbahet në ora 15:00 të hënën ndërsa ajo mund të ndiqet drejtpërdrejt edhe përmes internetit. Kështu njoftoi Gjykata Speciale.
“Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni të drejtësisë me seli në Hagë të Holandës.
Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor të këtij viti ndërsa ai u arrestua Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën asistimin e policisë së EULEX-it, më 24 shtator dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në po të njëjtën ditë.Gjykata Speciale dha edhe detajet nga aktakuza që iu ngritë ish-ushtarit të UÇK-së,
“Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare. Aktakuza publike e redaktuar mund të lexohet këtu”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, dje gjatë ditës, nga Prokuroria e Specializuar u arrestua edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj./ Kallxo.com