Naim Qelaj në qeverisjen Haradinaj ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, kurse ka qenë edhe koordinator nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje.
Naim Qelaj ndryshe njihet si avokati i cili për vite të tëra e kishte përfaqësuar Shyhrete Berishën nga Suhareka.
Kujtojmë që Shyhrete Berisha, familja e së cilës ishte vrarë gjatë kohës së luftës nga forcat paramilitare serbe kishte paditur familjen e burri për ta realizuar të drejtën e saj në trashëgiminë e burrit të saj të ndjerë.
Në raundin e parë të votimit nga 96 deputetë që kanë votuar për Avokatin e Popullit, 27 fletë votime kanë qenë të pavlefshme.
Edona Hajrullahu që sipas vlerësimit të Komisionit intervistues ka qenë kandidatja më e poentuar, ka marrë 17 vota, dhe është eliminuar nga gara.
Kurse dy kandidatë që në raundin e parë kanë marrë më së shumti vota Naim Qelaj, 29 vota, dhe Xhavit Shala ka marrë 23 vota, kanë garuar në raundin e dytë të votimit.
Në raundin e dytë të votimeve nga 66 deputetë që kanë votuar, Naim Qelaj ka marrë 32 vota kurse Xhavit Shala 22 vota, ndërsa 12 fletë votime kanë qenë të pavlefshme.
Në raundin e tretë të votimeve nga 93 deputetë sa kanë votuar, Naim Qelaj ka marrë 69 vota dhe është zgjedhur Avokat i Popullit.