Superliga e Turqisë pritet t’i lejojë tifozët në stadiume në muajin korrik

Federata e Futbollit të Turqisë ka bërë të ditur se stadiumet për tifozët do të rihapen në muajin korrik.

Krerët e ligës turke njoftuan në javën e kaluar se Superliga do të rikthehet më 12 qershor mbrapa dyerve të mbyllura.

Tani, Presidenti i ligës ka thënë se është e mundur që tifozët t’i shikojnë ndeshjet në fillim të kësaj vere.

“Objektivat tona janë që të përfundojmë këtë sezon, ndryshe do të kemi probleme të mëdha”, ka thënë Nihat Ozdemir për Corriere dello Sport.

“Dua të përfundojmë edicionin në fushë. Testimet e lojtarëve për coronavirus do të bëhen në mënyrë të rregullt”.

“Nëse do të ketë raste, ato do të karantinoren. Ka vende që po rikthehen edhe pse situata tek ata është më e keqe”.

“Qëllimi ynë i parë është që të fillojmë pa tifozë, por ata ndoshta mund t’i shikojnë ndeshjet në fillim të muajit korrik”, ka shtuar më tej ai.

Superliga e Turqisë ishte ndërprerë e fundit nga ligat e tjera më të mëdha evropiane, por që tani do të rikthehen më 12 qershor. /Telegrafi/