Suharekë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka dhënë dëshminë e tij i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, Bekim Avdylaga, në rastin ku për veprën penale pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, akuzohet Selman Shala.
Prezent në këtë seancë kanë qenë i akuzuari Selman Shala, prokurorja Elfete Purova, i dëmtuari Bekim Avdylaga, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Avdylaga, i pyetur nga prokuroja Purova, se a është e vërtetë se ditën kritike ka shkuar në vendin e quajtur “Kisha” dhe pse, i njëjti është përgjigjur se së bashku me rreshterin Shefki Spahiu, ka qenë në vendin e lartcekur.
Sipas tij, aty ka hasur të akuzuarin dhe nga ai kanë kërkuar fletëpërcjelljen dhe fletëpagesën, por i njëjti e ka poseduar vetëm fletëpagesën për bartjen e drunjëve. Tutje dëshmitari ka thënë se pasiqë rreshteri Spahiu e ka njoftuar se mund t’ia konfiskojnë drunjtë, i njëjti ka filluar me sharje e fyerje dhe kanosje dhe rreshterit i është drejtuar me fjalët “ju kalli me fëmijë”.
Ndërsa në pyetjen e prokurores se a ju ka sulmuar fizikisht juve dhe kolegun Spahiu, i dëmtuari Avdylaga, ai është përgjigjur se“fizikisht nuk na ka sulmuar”.
Më pas marrja në pyetje ka vazhduar edhe me të akuzuarin Selman Shala.
I akuzuari Shala u deklarua se “unë kam pas fletëpagesën vetëm për tre metër kub, nuk kam pre dru, por e kam ngarkuar traktorin me drunj që i ka prerë dikush tjetër dhe atë në prezencën e rojtarit të pyllit me emrin Ali”, ndërsa në pyetjen e prokurores se a është e vërtetë që ju keni kanosur policët me fjalët “ju kalli krejtve, po mi morët drunjtë kam me ju faru” i njëjti është përgjigjur se “jemi sha ngapak, kam qenë në gjendje të dehur, ndodh që edhe kam fol ndonjë fjalë, por nuk më kujtohet”, ka thënë Shala.
Prokurorja Elfete Purova, në fjalën e saj të fundit ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga ajo “sulm ndaj personit zyrtar” neni 410 të KP-së në veprën penale “kanosje ndaj personit zyrtar” nga neni 185 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KP-së duke kërkuar nga gjykata që të njëjtin ta shpallë fajtorë dhe ta dënoj sipas ligjit.
I dëmtuari Bekim Avdylaga ka deklaruar se nuk parashtroi kërkesë pasuroro-juridike, ndërsa i akuzuari Selman Shala në fjalën e tij të fundit ka deklaruar se nuk e ndjen vetën fajtor.
Gjyqtari i çështjes, Qemail Suka ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për datë 01 tetor 2020 në ora 14:00.
Selman Shala akuzohet se më 30.08.2018 në vendin e quajtur “Te Kisha”, mbi fshatin Mushtisht, kanos seriozisht zyrtarët policor, Bekim Avdylaga dhe Shefki Spahiu në kryerjen e detyrave zyrtare me fjalët “kush m*** jeni ju nuk ka bir nane që ma dërgon traktorin në Shirok, ju kalli krejtve, po mi morët drut kam mju faru me çka keni se e dini ju kush jam unë”./BetimipërDrejtës