“Po punojmë intensivisht”, a do t’ia dalë Gjermania t’i bindë evropianët për heqjen e vizave?

Shpresat e Kosovës se do të marrë liberalizimin e vizave përgjatë presidencës gjermane janë shtuar së tepërmi. Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Qeverisë Federale, Heiko Maas, ka thënë se janë duke punuar intensivisht që një gjë e tillë të ndodh, megjithatë s’ka mundur të jap një datë të saktë, meqë pohon se ende ka shtete të cilat po hezitojnë.  

Maas ka thënë se disa shtete vazhdojnë të kenë ende dyshime dhe se ende s’ka një parashikim se kur mund të ndodh diçka konkretisht.

“Ka akoma disa vende që kanë dyshime. Nuk mund të jap parashikime, se kur do të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën, por mund të them se është një temë me të cilën ne po merremi intensivisht.”, ka thënë Maas, raporton Gazeta Express.

Gjermania e kancelares Merkel është një prej shteteve që deri tani e ka mbështetur pa kushte Kosovën drejt marrjes së liberalizimit të vizave.

Një prej vendeve që përbën problem, është Franca e presidnetit Macron, meqë ende konsideron se Kosova nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për të marrë liberalizimin e vizave.

/GazetaExpress/