Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Therandë së bashku me ekipet e Qendrës Rajonal të shëndetit publik në Prizren është duke vazhduar fokusin e saj nëpër Institucionet Arsimore për testim ndaj COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë në Therandë, Besa Kuqi.
“Në ambientet e QKMF- Therandë ka vazhduar testimi i stafit arsimor të shkollave te Komunës tonë nga ekipet e Qendrēs rajonale te shëndetit publik Prizren, kemi vlerësuar si të rëndësishme që tani e tutje fokusi të jetë tek institucione shkollore, në mënyrë që sa më lehtë të identifikohen rastet e paraqitura dhe të ndermirren masat e nevojshme parandaluese”, ka shkruar drejtoresha Kuqi në facebook.
Tutje, Kuqi ka njoftuar se ka dërguar listat për furnizim me vaksina për grip sezonal tek Ministria e Shëndetësisë, dhe janë duke pritur të furnizohen.
Drejtoresha ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të kenë kujdesë ndaj virusit COVID-19 dhe të respektojnë masat.
Kosova që nga muaji mars 2020 është duke u përballuar me pandeminë e coronavirusit ku si pasojë e kësaj deri më tani janë infektuar 15 mijë e 705 qytetarë, prej tyre janë shëruar 13 mijë e 731 ndërsa kën vdekur 627.
Javëve të fundit numri i rasteve por edhe ai i vdekjeve si pasojë e infeksionit COVID-19 është dukshëm në rënje.