Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj sot gjatë një takimi me ambasadorin zviceran Thomas Kolly nënshkroi marrëveshjen për realizimin e fazës së dytë të projektit “Kujdesi shëndetësor i qasshëm dhe cilësor” i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), që do të realizohet deri në dhjetor 2023, me vlerë 8.8 milionë franga zvicerane.
Përmes një postimi në “Facebook”, Zemaj ka bërë të ditur se Komiteti Drejtues i Projektit përbëhet nga SDC-ja, MSH-ja, IKSHPK-ja, Asociacioni Komunave të Kosovës, përfaqësues të komunave partnere dhe të shoqërisë civile.
Ndërsa për zbatimin e projektit është kontraktuar “Swiss Tropical and Public Health Institute” (Swiss TPH).
Zemaj theksoi se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të kontribuojë në krijimin e kontekstit të favorshëm për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë, me theks të veçantë në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Po ashtu ai falënderoi ambasadorin Thomas Kolly për ndihmën që Zvicra ka ofruar gjatë gjithë këtyre viteve për Kosovën e veçanërisht për këtë projekt, i cili është i domosdoshëm për avancimin e shëndetësisë sonë. /Zëri