Dita Botërore e Shëndetit Mendor (10 tetor) është shpallur nga OKB dhe është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pastabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara.
Sot është 10 Tetori, siç njihet ndryshe edhe Dita Botërore e Shëndetit Mendor.
Dita Botërore e Shëndetit Mendor është shpallur nga OKB dhe është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pastabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara.
Kjo ditë përkujtohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me risk, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta në rrugë.
Shëndeti mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, pasi siç vlerësohet, sot në botë vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.
Çdo vit kjo ditë i kushtohet aspekteve të ndryshëm të shëndetit mendor të popujve, duke filluar me çështje të tilla si, depresioni etj., e duke vijuar me rëndësinë që ka kualifikimi i personelit në përballimin e kërkesave të popullatës për shërbime të shëndetit mendor.
I parë nga një këndvështrim përgjatë kulturave, është e pamundur që shëndeti mendor të përkufizohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Sidoqoftë, përgjithësisht, është pranuar se shëndeti mendor është më i gjerë se thjesht mungesa e çrregullimeve mendore. Çrregullimet mendore dhe të sjelljes prekin mbi 25% të të gjithë njerëzve gjatë jetëve të tyre. Ato janë universale, prekin njerëzit e të gjitha vendeve dhe shoqërive, individët e të gjitha moshave, gratë dhe burrat, të pasurit dhe të varfrit, nga zonat qytetare apo fshatare. Vitin e kaluar, tema e trajtimit në gjithë globin ka qenë skizofrenia.