Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se ripërcaktimi i kufijve është e vetmja mënyrë që mund të zgjidh problemet midis Kosovës dhe Serbisë, njofton Insajderi.
Ai tutje ka deklaruar se tri komunat shqiptare në Luginën e Preshevës duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërsa ato me shumicë serbe në veri – Serbisë.
“Platforma e Lëvizjes për Bashkim është shumë e qartë. Ne mendojmë se e vetmja zgjidhje e plotë e problemit shqiptaro-serb, në këtë radhë e cila shkon përmes zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë është ripërcaktimi i kufijve. Sipas Lëvizjes për Bashkim ne mendojmë që tri komunat shqiptare në Kosovën lindore, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, atje ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale duhet të bashkohen me Kosovën. I njëjti parim duhet të vlejë edhe për tri komunat me shumicë serbe të cilat kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë kanë të drejtë t’i bashkohen asaj”, ka thënë Murati për EO.
Ai ka thënë se marrëveshja për ripërcaktim të kufijve do të nënkuptonte ndryshim të disa prej parimeve të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës, e të cilat Kosovën do ta bënin të pavarur nga dy të tretat e votave të pakicave për ndryshime kushtetuese.
“Kjo marrëveshje që do të rezultonte për ripërcaktimin e kufijve do të nënkuptonte edhe një ndryshim të disa prej parimeve themelore të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga dy të tretat e votave të pakicave për të ndryshuar kushtetutën në këtë radhë të serbëve të cilët e bllokojnë vazhdimisht ndonjë reformë kushtetuese që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga lista serbe. Unë mendoj që vetëm projekti i ripërcaktimi të kufijve e largon Serbinë nga Kosova”, shtoi Murati.
Sa i përket dialogut me Serbinë dhe mundësisë për një marrëveshje për njohje reciproke, ai thotë se aktualisht nuk sheh vullnet nga Serbia që ta njoh Kosovën. Madje ai shprehet se as nga BE-ja nuk ka ndonjë presion ndaj Serbisë për ta bërë një gjë të tillë.
“Në këto rrethana nuk shoh vullnet që Serbia ta njoh Kosovën. Ndoshta në asnjë rrethanë nuk do ta njohë Kosovën. Serbia po i shfrytëzon rrethanat ndërkombëtare që ta zvarrisë sa më shumë çështjen e njohjes që të fut në marrëveshje sa më shumë interesat e veta, qoftë përmes zbatimit të Asociacionit dhe unë nuk po shoh asnjë interesim të BE-së që ta detyrojnë Serbinë që ta njoh Kosovën, dhe duke qenë se nuk do të ketë njohje dhe procesi i negociatave shumë shpejt mund të dështojë mendoj që në një të ardhme në tryezën e bisedimeve si opsioni më real do të jetë projekti i ripërcaktimit të kufijve”, u shpreh ai. Insajderi.com