Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është zotuar se marrëveshja Kosovë-Serbi do të përfshijë me doemos edhe pikat për të pagjeturit.
Kështu ka bërë të ditur ai për Klan Kosovën, duke thënë se është bërë përparim për të gjetur gjuhë të përbashkët për këtë temë të ndjeshme dhe marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse do të përfshijë dispozita në lidhje me këtë çështje, transmeton Insajderi.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja synon arritjen e një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, duke zgjidhur të gjitha pyetjet e mbetura. Çështjet e personave të zhdukur, si dhe të personave të zhvendosur, janë adresuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja që nga rifillimi i tij në korrik të vitit 2020. Është bërë përparim për të gjetur gjuhë të përbashkët për të dyja këto tema të ndjeshme dhe marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse do të përfshijë dispozita në lidhje me këto çështje. Bashkimi Europian inkurajon të dy palët të bashkëpunojnë më tej për të lehtësuar në mënyrë efektive procesin në vazhdim të identifikimit të vendeve, zhvarrosjen si dhe identifikimin e mbetjeve”, tha Stano.
Se kjo çështje do të diskutohet dhe zgjidhet me patjetër në tavolinën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, siguroi para pak ditësh edhe Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Gjatë kohës sa po raportonte në komisionin parlamentari për të Pagjeturit, ai tha bindshëm se Qeveria Hoti nuk do të vë nënshkrim në letrën e marrëveshjes me Serbinë pa u zgjidhur kjo temë e hapur për dekada.
Selimi njoftoi se përveç delegacionit qeveritar, në bisedime do të marrin pjesë edhe anëtarë të shoqatave të familjeve të të pagjeturve – një kërkesë kjo e kamotshme e nënave kosovare. Insajderi