SHTOHET QARKULLIMI I QYTETARËVE DREJT MAQEDONISË SË VERIUT PA TESTIN PCR
Ka nisur qarkullimi drejt Maqedonisë së Veriut pa testin PCR nga dita e sotme, me ç’rast është shtuar edhe qarkullimi i qytetarëve që kanë udhëtuar drejt këtij vendi, njofton Insajderi.
Abaz Luta, i cili punon si taksist i është gëzuar shumë vendimit për qarkullim drejtë të dyja vendeve pa pasur nevojë për testin PCR negativ për COVID-19, pasi që ai tash e disa muaj nuk ka mundur të punojë fare.
“Ne punojmë taksi këtu në zonën kufitare në Han të Elezit….ka qenë bllokad shumë mujorëshe as punë, as kontakte andej me familje se na lidhin edhe farefisi shumë. Sot besoj është këndellur më tepër puna dhe është bërë më mirë…Jo jo absolut nuk kemi punuar sepse edhe po ta bëjmë ne testin e koronavirusit, pasagjerët nuk kanë mundur të udhëtojnë, kështu që ne prej marsit nuk kemi punu”, tha ky qytetar për KP.
Sejrem Krasniqi nga Lipjani është i lumtur që tash mund të shkoi t’i vizitojë të afërmit e tij pa asnjë kufizim.
Gjatë kohës së ishte në fuqi vendimi që pas testin PCR negativ të mos qarkullojnë kosovarët drejt Maqedonisë së Veriut, Krasniqi thotë se ka shkuar në këtë vend por gjithmonë është dashur të kenë edhe këtë lloj testi.
“Pa test…i kemi disa miq andej dhe po shkojmë… unë gjithë kam shkuar por me test PCR”, tha ai.
Përveç qytetarëve nga Kosova, të shumtë ishin edhe qytetarë nga Maqedonia e Veriut që ekipi i KosovaPress-it i takoi në pikën kufitare në Han të Elezit.
Për vizitë tek të afërmit e tij në Viti, kufirit të Kosovës ia kishte mësyerë edhe Salih Kabashi. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kabashi thotë se për të hyrë në Kosovës nuk iu kërkua testi PCR negativ.
“Pas 5-6 muajve po vijmë në Kosovë… jo asgjë nuk është kërkuar, mirë kemi kaluar”, tha Kabashi.
Nga malli që kishte për Kosovën qysh në ditën e heqjes së testit PCR, Muhamet Sinani nga Shkupi ka marrë rrugën drejt Kosovës.
Sinani thotë se gjithçka ishte sikur më parë, madje përkundër që kishte menduar që do mbes më gjatë nëpër kolona, ai thotë se edhe rruga ishte e qarkullueshme.
“Jo nuk na është kërkuar testi.. jo asgjë, gjithçka sikur përpara…nuk ka pritje janë të zakonshme gjatë kësaj sezone, kam menduar që më shumë se do pres por jo… po shkojmë për qejf na ka marrë malli për Kosovën… prej kur ka fillua pandemia kjo çështja PCR”, u shpreh Sinani. /Insajderi.com