Skuadra e Kosovës është nisur sot (e martë) për në Athinë, ku të mërkurën do të luajë kundër Greqisë në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës bëhet e ditur se Bernard Challandes nuk do t’i ketë në dispozicion edhe Valon Berishën, Arbër Zenelin dhe Edon Zhegrovën.
Kjo për faktin se tre futbollistët iu janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, të cilat kanë treguar se ata nuk janë në gjendje që të luajnë në takimin e nesërm.
“Me ekspeditën e Dardanëve nuk udhëtuan Valon Berisha, Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova, për të cilët pas ekzaminimeve mjekësore në mëngjes u konstatua se nuk janë në gjendje të luajnë në ndeshjen kundër Greqisë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ndryshe, lojtarët e Kosovës, sonte (e martë) në orën 18:00, sipas orës lokale, do ta mbajnë stërvitjen në Athinë të Greqisë.
Kosova është pjesë e Grupit 3 në Ligën C të Ligës së Kombeve, ku ka marrë vetëm një barazim nga tri ndeshje të zhvilluara.
Greqia është lider i grupit me shtatë pikë, nga dy fitore dhe një barazim, ndërsa kujtojmë që kishte fituar ndaj Dardanëve në “Fadil Vokrri”. Telegrafi