Një studim i kohëve të fundit nga Shkolla e Shëndetit Publik të Harvardit, ka bërë me dije se ajri i ndotur dhe koronavirusi bashkë mund të rritin vdekshmërinë dy herë më shumë (8%).
Shkruan: Besnik Gashi
Sipas hulumtimit në fjalë, për çdo rritje të ndotjes së ajrit për 1 mikrogram / metër kub, shtohet vdekshmëria për Covid-19. Thirrja e kryesuesve të këtij studimi, të publikuar në gusht të këtij viti, ishte që “në vende ku ndotja e ajrit është problem kronik, duhet kushtuar rëndësi personave me probleme themelore shëndetësore”. Një studim i tillë mund të jetë një paralajmërim shqetësues edhe për Kosovën, kur dihet se Prishtina përgjatë gjithë sezonës dimërore përballet me ndotje enorme të ajrit si pasojë e shfrytëzimit të thëngjilit për ngrohje, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës, deri më tani, nuk është se ka publikuar ndonjë plan strategjik afatgjatë në këtë drejtim, derisa Ministria e Ambientit në vitin 2018 sa drejtohej nga Fatmir Matoshi kishte nxjerrë një projekt-ligj për ndalimin e djegies së qymyrit për ngrohje.
Djegia e thëngjillit për ngrohje dhe gazrat e emetuara nga termocentrali Kosova A janë konsideruar si ndër burimet kryesore për ndotjen e ajrit në kryeqytet.
Shikuar nga përvojat e mëhershme mjekësore, ajri i ndotur dhe sëmundjet e traktit të frymëmarrjes kanë vështirësuar më shumë gjendjen shëndetësore të të ekspozuarve. Për diçka të tillë ka folur për Gazetën Express Besim Morina, pulmolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Ekspozimi edhe për një kohë të shkurtë, pra nga disa orë në disa ditë, ndikon në përkeqësimin e sëmundjeve paraekzistuese të mushkërive si astma bronkiale apo bronkiti kronik”, ka thënë Morina në një prononcim për Gazetën.
Përveç koronavirusit, në bashkëveprim me ajrin e ndotur pulmologu Morina ka thënë se mund të bashkangjitet edhe faktori i tretë – gripat sezonal.
“Gjatë ketyre muajve e kemi edhe shfaqjen e infeksioneve gripoze sezonale. Për këtë arsye duhet pasur parasysh që infeksionet gripoze dhe ato respiratore mund të favorizohen në rast të prezencës së ajrit të ndotur”, ka potencuar ai.
Në anën tjetër, shqetësuese ndotjen e ajrit e ka parë edhe ambientalisti Luan Hasanaj. Ky i fundit ka thënë se mungesa e monitorimit të përdorimit të thëngjillit në masë të moderuar është një nga problemet kryesore.
“Vazhdon të mbetet shqetesuese që një pjesë e madhe e qytetarëve dhe bizneseve, si dhe disa shkollave, përdorin akoma thëngjillin si lëndë djegëse”, deklaroi Hasanaj për Express.
Tutje, koordinatori nga organizata jo-qeveritare “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën’ e ka parë të nevojshme edhe mbjelljen e drunjve halorë në kryeqytet, të cilët sipas tij ndihmojnë në pastrimin e ajrit.
Gjermania ka filluar të largojë veturat me naftë, të cilat janë paraparë si një nga faktorët kryesor të ndotjes së ajrit. Komisioni për Zhvillim Ekonomik në Kosovë kishte vendosur për vënien e kufizimit të regjistrimit të veturave, kufizim ky që gjendej në kuadër të Ligjit për Automjete, por e kishte hequr pas disa muajsh./GazetaExpress.