Mundësia e mbylljes së shkollave për shkak të rasteve me koronavirus, flet Rrahman Jasharaj


Drejtuesi i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ende nuk është zgjidhur çështja e sigurimit të mjeteve mbrojtëse për COVID-19 në shkolla.

Ai ka thënë se ka pasur tendenca nga këshillat e shkollave që të mbledhin para nga prindërit e nxënësit për sigurimin e tyre, por një gjë të tillë Jasharaj thotë se nuk do ta lejojnë.

“Ne kemi pasë informacione që konsiderojmë se nuk janë zyrtarizuar plotësisht, ka pasë edhe tendenca, që këshillat e shkollave të bëjnë aksione për mbledhje të parave nga prindërit dhe nxënësit për t’i siguruar këto mjete dhe ne e kemi kundërshtuar dhe ua kemi bërë me dije edhe ministrit se këtë gjë nuk do ta tolerojmë dhe do reagojmë që ta ndalim sepse prindërit kanë mjaft telashe. Në disa komuna jo bash lehtë po sigurohen mjetet e dezinfektimit edhe pse mjetet nga buxheti i Kosovës ka”, tha ai.

Jasharaj tha se SBASHK-u do ta përcjellë situatën në shkolla sa i përket sigurimit të mjeteve mbrojtëse, ndërkaq ka sqaruar se si do të zhvillohet mësimi në rast të infektimit të nxënësve apo mësimdhënësve.

“Kemi më shumë komunikim të drejtpërdrejt me MASH-in dhe jemi pajtuar që t’i ndajmë detyrat, task-forcat janë të obliguara ta përcjellin gjendjen aktuale sa i takon të prekurve në shkollat e tyre. IKSHPK e ka caktuar koeficientin e 10 përqindëshit të të prekurve, 10 përqindëshi e ka kuptimin në 100 nxënës, 10 nxënës nëse janë të prekur atëherë merren masat e caktuara duke u nisur nga klasa, në klasë ky 10 përqindëshi te numri më i vogël është 2-3 nxënës në paralele nëse preken, ajo paralele do të vazhdojë mësimin nga larg. Kjo vlen edhe për mësimdhënësit, 10 përqindëshi i të punësuarit në një shkollë nëse preken ajo mbyllet përkohësisht, por jo procesi mësimor, sepse vazhdon online dhe kolegët e prekur zëvendësohen nga kolegë të tjerë, dhe për ta është siguruar buxhet shtesë”, ka thënë Jasharaj.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?