Kryetari i AAK-së dhe ish kryeministi i vendit, Ramush Haradinaj në vitin 2009 kishte blerë një ari tokë për 3,75 euro nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit.
Sipas deklarimit të pasurisë në vitin 2018, në kohën kur Haradinaj ishte kryeministër, ai kishte deklaruar se ka blerë 200 hektarë tokë nga privatizimi, me vlerë 75 mijë euro.
Sipas këtij deklarimi, prona është në bashkëpronësi, ndërsa toka është kodrinore, por nuk ceket lokacioni.
Në anën tjetër, të enjten, ish kryesuesi i bordit të AKP-së, Blerim Rexha, para Komisionit Hetimor Parlamentar për privatizimin ka rrëfyer se gjatë kohës sa ka qenë kryesues bordi ka pasur presione të shumta, ndërsa ka ndarë një rast ku është propozuar që 50 hektarë tokë e shtetit të shitet për 5 mijë euro, apo 1 euro për ari tokë.
“Kam pa aty disa asete që janë shitë me një çmim jashtëzakonisht të ulë në krahasim me çmimin e tregut, për të cilat kam ngritë shqetësimin tim. Disa kanë ngritë në media shqetësime, që “Po të dhimbset me shitë lirë”, tha Rexha.
“Unë e kam përmend një rast, kur ka qenë që janë privatizu 50 hektarë, për 5 mijë euro. Me e përkthy këtë është që 50 hektarë bëjnë 5 mijë ari. Pra, 5 mijë ari tokë e Kosovës janë shitë për 5 mijë euro. Për këtë motiv kam votuar kundër. Po e citoj veten që kam thanë në atë mbledhje, ku kam thanë “Po më dhimbset toka e Kosovës me u shitë 1 euro ari”, është shprehur Rexha para deputetëve.