Përditësimi i listës, kush s’mund të hyjë në Kosovë pa test PCR?


Italia, Kroacia, Polonia dhe Lihtenshtajni i janë bashkuar listës së vendeve, shtetasit e të cilave nuk mund të hyjnë në Kosovë pa e poseduar një test PCR-Negativ. Deri tash, pjesë e kësaj liste janë 20 shtete evropiane, të cilat kanë rrezik të lartë të infektimit, raporton Express.

E për mënyrën se si vendoset që një shtet ka rrezik të lartë të infektimit, ka dhënë detaje Ministria e Shëndetësisë.

Ky institucion ka deklaruar se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web-faqen e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.

“Lista është e publikuar në web-faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, ka deklaruar Ministria.

Bazuar në këtë listë, shtetet të cilat i konsideron Kosova me rrezik të lartë të infektimit, janë: Spanja, Franca, Britania e Madhe, Italia, Holanda, Belgjika, Rumania, Polonia, Çekia, Portugalia, Austria, Irlanda, Hungarua, Sllovakia, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Malta, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Të gjitha këto shtete kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, gjë që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë.

Situata më e rënduar është në Çeki, Belgjikë e Holandë. Gazeta Express