Një 28-vjeçar nga Kosova, pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore në Shqipëri është vënë në pranga.
Njësia e Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë patrullimit në autostradën Milot-Morinë, ka konstatuar dhe ndëshkuar 38 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të cilat janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve është evidentuar dhe ndëshkuar edhe një rast i tentativës për të korruptuar punonjësin e Policisë Rrugore, për t’iu shmangur masës administrative dhe konkretisht në Fushë Milot, punonjësit e Policisë Rrugore kanë konstatuar një parakalim të gabuar nga një drejtues automjeti duke rrezikuar përfshirjen në aksident rrugor.
Gjatë momentit që punonjësit e Policisë po i kontrollonin dokumentacionin dhe po i komunikonin shkeljen dhe masën administrative drejtuesit të mjetit “Audi”, shtetasit Gj. T., 28 vjeç, banues në Kosovë, ky shtetas ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore duke iu dhënë një kartëmonedhë 20 euro.
Punonjësit e Policisë kanë bërë shoqërimin e këtij shtetasi në DVP Lezhë dhe në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar kanë bërë arrestimin 28-vjeçarit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të kufizojnë shpejtësinë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, por të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.Reporteri