Bekim Zogaj është bërë gjyqtari i parë me prejardhje nga Kosova që gjykon në një ndeshje në garën më prestigjioze evropiane për klube, Ligën e Kampionëve, pasi mbrëmë ishte anësor i Sandro Scharer në ndeshjen mes Barcelonës dhe Ferencvaros në Camp Nou.
Zogaj – gjyqtar zviceran me prejardhje nga Kosova – ishte asistenti i dytë i Scharer në fitoren e thellë të Barcelonës 5:1 kundër Ferencvaros në ndeshjen hapëse të Grupit H në Ligën e Kampionëve të martën, raporton Gazeta Express.
I lindur në Decan më 1979, ai kishte migruar në Zvicër në moshën 10 vjeçe.
Zogaj e kishte nisur kursin për gjyqtar futbolli në vitin 1997 në Zurich.
Më 2019, Zogaj ishte gjyqtar anësor edhe në fitoren e klubit kosovar Feronikeli kundër Lincoln Red Imps në një ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës.
41-vjeçari ka qenë gjyqtar i rregullt në Superligën e Zvicrës dhe në garat e tjera në këtë vend, por këtë vit ka filluar të gjykojë ndeshje edhe në garat më të mëdha evropiane.
Në shtator, ai ishte anësor edhe në ndeshjen e Ligës A në Ligën e Kombeve mes Danimarkës dhe Belgjikës.
Ai ka referuar edhe në ndeshjet e Ligës së Evropës – garës dytësore evropiane për klube – në vitet e fundit, përfshirë ndeshjet mes Arsenal – Standard Liege dhe Manchester United – AZ Alkmaar vitin e kaluar. /Gazeta Express/