Autoritetet kosovare kanë arritur që të kapin Labinot Grudën të cilit ia kanë caktuar sot edhe një muaj paraburgim nën dyshimet se i njëjti në cilësinë e zyrtarit të Thesarit të Shtetit ka mundësuar vjedhjen e mbi 2 milionë eurove dhe dërgimin e tyre në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.
Derisa të dy pronarët e kompanisë “LDA Group”, Kadri Shala dhe Valon Shala aktualisht janë në kërkim nga shteti. Sipas burimeve të Gazetës Express brenda Prokurorisë ata dyshohet se janë duke u fshehur në Turqi.
Siç mëson Express të dy ishin arratisur drejt shtetit turk më herët, ku edhe kishin filluar nxjerrjen dhe shpenzimin e parave të vjedhura nga Thesari i Republikës së Kosovës.
Të dy pronarët e kompanisë “LDA Group”, siç thonë burimet brenda Prokurorisë atje kishin filluar të blejnë makina dhe kanë rënë nën llupën e hetuesve kur e kanë kryer njërën nga blerjet.
Që prej atij momenti të dyve u janë bllokuar llogaritë, derisa mësohet se ata kanë arritur të nxjerrin plotë 250 mijë euro.
Paratë në adresë të kompanisë me bazë në Llapushnik ishin dërguar në katër pjesë. Fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.
Gruda sipas dosjes së Prokurorisë kishte arritur që për plotë 8 minuta të kryejë transferimin e mbi 2 milionë eurove në adresën e kompanisë me bazë në Llapushnik. Një gjë të tillë e kishte bërë duke krijuar llogari fiktive që të dukeshin që janë punëtorë të Thesarit.
Edhe Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka dhënë detaje lidhur me këtë rast duke treguar se transaksioni ka ndodhur më 9 tetor.
Avokati mbrojtës i Grudës ndërkohë ka thënë se bashkë me klientin e tij në zyrë kanë qenë edhe 13 persona të tjerë.
Derisa Express mëson se aktualisht Prokuroria ka zgjeruar hetime në 40 persona.GazetaExpress