Gjashtë persona kanë pësuar lëndime si pasojë e dy aksidenteve që kanë ndodhur mbrëmjen e së mërkurën në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Aksidentet kanë ndodhur në kilometrin e 36-të, në drejtimin Suharekë-Malishevë, ku të përfshira kanë qenë katër automjete.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Rreth orës 18:15 në autostradën Ibrahim Rugova në kilometrin e 36, drejtimi Suharekë – Malishevë, në interval të shkurtër kohor janë shkaktuar dy aksidente trafiku me lëndime trupore. Të përfshira kanë qenë 4 automjete: Tri vetura dhe një kamionetë”, ka thënë Hoxha.
“Raportohet se në të dy rastet janë të lënduar 6 persona të cilët kanë marrë trajtim mjekësor në Prizren”, u shpreh ai.
Tutje ai ka shtuar se njësiti për menaxhimin dhe kontrollin e autostradës i Policisë së Kosovës është marrë me rastet dhe kanë kryer procedurat e nevojshme ligjore.
“Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit ne trafik, në veçanti tek drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, përfshirë këtu, kufizimin e shpejtësisë dhe mbajtjen e distancës ndërmjet automjeteve, në mënyrë që të shmangen aksidentet e tilla apo rrezikimi i sigurisë së përgjithshme në trafik. Policia e Kosovës ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me rregullat në trafik po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa rigoroze”, tha Hoxha. /Telegrafi/