Blerjet online po përdoren me të madhe në Kosovë.
Kjo pasi që nëse në të kaluarën shpenzonin orë të tëra nga një dyqan në tjetrin për të gjetur produktet e përshtatshme, ditët e sotme gjithçka materiale për të cilën ke nevojë është vetëm një klik larg, shkruan Reporteri.net.
Por krahas anëve pozitive të blerjeve online, janë edhe ato negative, si në rastet kur rastis në rrjete mashtrimi, të cilat marirn paratë dhe sjellin mall zhgënjyes, krejt ndryshe nga ajo që ke porositur.
E raste të tilla hasim përditë në rrjete sociale, ku qytetarët denoncojnë mashtrimet që u bëhen nga faqe të ndryshme vendore për blerjen e gjërave online.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës për të marrë informacione se a raportohen në Polici raste të tilla mashtrimi.
Nga ZIMP kanë bërë të ditur se mashtrimi është e sanksionuar si vepër penale dhe si rrjedhojë, Policia gjatë këtij viti ka iniciuar gjithsej 372 raste të mashtrimit, por që nuk specifikohet se sa prej tyre konkretisht janë mashtrime gjatë shit—blerjeve online.
E denoncimet më të mëdha të këtyre rasteve bëhen në rrjetet sociale si Facebook e Instagram, ku njëfarë mënyre bëhet edhe thirrje për vetëdijësim që të tjerët mos të bien pre e faqeve të cilat nuk janë korrekte me porosi, të cilat në të shumtën e rasteve përdorin uljet e mëdha të çmimeve për të joshur konsumatorin.
Bashkë me mashtrimin, qytetarët shpesh përballen edhe me sjelljen arrogante të administruesve të faqeve për shit-blerje online.
Madje shumë prej tyre tregojnë se posa ankohen për porosinë e pranuar bllokohen nga faqja ku kanë porositur, duke mos iu përgjigjur ankesës së tyre.
E shmangia nga përgjegjësia e tyre, blerësve iu shkakton dëme materiale.
Muaj më parë, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Veçantë, kishte ngritur aktakuzë kundër një personi, pikërisht për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., me datë 03.02.2020 rreth orës 12:00, përmes postës private, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër, dhe me këtë e nxit të dëmtuarin që të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij.
Por sigurisht që ka edhe dyqane online të cilat janë korrekte me konsumatorët.
Më e mira që mund të bëni në raste të blerjeve online është të kontrolloni se sa i besueshëm është dyqani dhe të lexoni komentet e blerësve të mëparshëm.
Nëse komentet negative janë të shumta, është mirë që të mos i besoni. /Reporteri.net