Në Kosovë janë dy institucione financiare që aplikojnë rregullat islame të bankimit, mirëpo nga hulumtimi del se ka paqartësi rreth funksionimit të tyre; mungon baza ligjore e mjaftueshme dhe nuk dihet shumë sesi realizojnë fitim pa e përdorur interesin.
Mirjeta Shabani
“Kredi pa kamatë”, kjo është motoja e disa prej institucioneve mikrofinanciare në Kosovë që përdorin rregullat islame të bankimit. “Start” është njëra nga to dhe është e pranishme në sektorin mikrofinanciar që nga viti 2002. Lëshon kredi si të gjithë konkurrentët tjerë, por ndryshe nga ta ajo nuk aplikon kamatë për klientët e saj.
Në Kosovë janë vetëm dy institucione financiare që e aplikojnë këtë model, por shumë pak dihet për mënyrën e funksionimit të tyre. Buletini Ekonomik ka hulumtuar rreth funksionimit të këtyre institucioneve, mënyrën se si fitojnë, dhe se a janë të licencuara sipas ligjit.
Nga hulumtimi del se ka paqartësi rreth funksionimit të tyre; mungon baza ligjore e mjaftueshme dhe nuk dihet shumë sesi realizojnë fitim pa e përdorur interesin.
Në punën e tyre këto institucione zbatojnë rregullat islame dhe nuk aplikojnë fare kamatë për klientët e tyre. Për të fituar para pa përdorimin e interesit, ato përdorin ‘sisteme të pjesëmarrjes’ përmes ekuitetit. Pjesëmarrja përmes ekuitetit nënkupton që nëse një institucion i tillë i huazon para një biznesi, atëherë ky biznes do ta paguajë kredinë pa kamatë, por është i detyruar që një pjesë të fitimit t’ia jap institucionit. Në qoftë se biznesi dështon ose nuk realizon ndonjë fitim, atëherë as institucioni, i cili ka dhënë kredinë nuk përfiton.
“Start” dhe “Timi Invest” janë dy nga institucionet që funksionojnë në Kosovë me këto rregulla. Të dyja janë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Ndërsa në sektorin bankar ende nuk ka një të tillë të licencuar.
“Start” kishte filluar së funksionuari që nga viti 2002, në fillimet e saj vetëm si OJQ, por më pas edhe si e licencuar nga BQK-ja, si institucion mikrofinanciar.
Sipas zyrtarit të Start-it, Vehbi Zeqirit, qëllimi i themelimit të këtij institucioni ka qenë përkrahja financiare për familjet në nevojë, me synimin e largimit të nevojës për ndihma humanitare prej tyre, por të hyrat të mund t’i sigurojnë nga aktivitetet e tyre biznesore.
Start-i tani ofron dy lloje kredish financiare për qytetarët, e para është hua bamirëse me të vetmen kosto shumën prej 60 eurosh në emër të taksës administrative, e që sipas Start-it, shumica e këtyre llojeve të kredive jepen në shumën rreth 1 mijë e 500 euro. Ndërkaq, pakoja e dytë financiare është edhe financimi i shit-blerjes ku Start-i financon mallin të cilin klienti e zgjedhë vet.
Por, në terma konvencional Start-i ngarkon edhe një normë fikse vjetore për mallin e financuar. Kalkulimi sipas BQK-së për këtë shërbim është rreth 13.5% (normë efektive), thonë nga Start-i.
“START ofron dy produkte financiare: a) Hua bamirëse me të vetmen kosto prej 60€ në emër të taksës administrative. Shumica e këtyre kredive është rreth 1,500€; dhe b) Financim i shitblerjes ku START financon mallin të cilin klienti e zgjedhë vet. Në terma konvencionale START ngarkon një normë fikse vjetore për mallin e financuar. Kalkulimi sipas BQK-së për këtë shërbim është rreth 13.5% (normë efektive)”, thanë nga Start-i për Buletinin Ekonomik.
Milazim Abazi, njohës i sektorit financiar, thotë se bankingu islam është i nevojshëm të funksionojë edhe në Kosovë si në shumë vende tjera të botës. Sipas tij, në Kosovë së paku 20 për qind e popullsisë nuk pranojnë të marrin kredi në bankat ekzistuese komerciale për shkak se kjo pjesë e popullsisë është kundër kreditimit që zbaton interesa.
“Pra, dikund rreth 20% e popullësisë mezi pret që në Kosovë të licencohet një bankë apo më shumë banka që do të vepronin sipas parimeve te bankingut islam. Kjo do të ishte e mirë për këta qytetarë por edhe për vet zhvillimin ekonomik të Kosovës sepse do të rritej edhe potenciali financiar dhe investiv dhe do te rriteshin mundesitë për financimin e asaj pjese të qytetarëve që nuk do të pranonin të merrnin kredi me principe të interesit bankar”, shprehet Abazi.
Rregullativa ligjore e pamjaftueshme
Megjithëkëtë, për të licencuar një apo më shumë banka të cilat do të operonin sipas parimeve të bankingut islam, sipas Abazit, duhet që edhe BQK-ja të ketë specialistë të kësaj fushe, që do të merrej me licencimin dhe mbikëqyrjen e tyre.
Mirëpo, para kësaj, mungon rregullativa e mjaftueshme ligjore. Në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, ekziston vetëm një dispozitë që flet për këtë në mënyrë përgjithësuese. “Financimi islamik” është në mesin e aktiviteteve të lejuara financiare.
“Financimin islamik ose veprimtarinë bankare islamike, me pëlqim të BQK-së dhe sipas këtyre kushteve dhe në pajtueshmëri me rregulloret që mund të përcaktohen nga BQK-ja”, thuhet në nenin 44, pika 1.17, të këtij ligji.
Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, rreth licencimit të këtyre institucioneve dhe aplikacioneve në pritje për licencim, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje edhe pas insistimeve të shumta.
Ndërkaq, Abazi shpjegon se këto institucione funksionojnë në bazë të parimit të partneritetit në biznes ose në formë të qerasë. Nëse banka bëhet partnere në biznesin e klientit nëpërmes financimit të biznesit, ajo do të marrë pjesë edhe në fitim në bazë të pjesëmarrjes në parneritet. Në këtë rast nëse biznesi afaron me humbje, Abazi thotë se banka nuk zbaton ndëshkim, por merr pjesë edhe në ndarjen e humbjes. Kurse, forma tjetër e financimit të biznesit kalkulohet duke e ‘imagjinuar’ qeranë. Nëse biznesi që financohet nga banka do të lëshohej me qera, atëherë fitimi do të ndahej sipas pjesëmarrjes në financim.
“Nëse banka bëhet partnere në biznesin tënd nëpërmes financimit të biznesit, ajo do të marrë pjesë në fitim në bazë të pjesëmarrjes në parneritet. Në këtë rast nëse biznesi afaron me humbje, banka nuk zbaton ndëshkim, por merr pjesë edhe në ndarjen e humbjes. Kurse, forma tjetër e financimit të biznesit kalkulohet duke e imagjinuar qeranë. Nëse biznesi që financohet nga banka do të ipej me qera, atëherë fitimi do të ndahej sipas pjesëmarrjes në financim”, tha Abazi.
Rritet interesimi i kosovarëve për “kredi pa kamatë”
E interesimi i qytetarëve për këto lloje të kredive duket se është i madh. Nga viti 2002 deri më 30 shtator të 2020-s, shuma e kredive të shpërndara nga Start-i, ka arritur vlerën e 30 milionë eurove, të shpërndara përmes 18 mijë kredive individuale. Vehbi Zeqiri thotë se Start-i si institucion mikrofinanciar gjithmonë ka pasur më shumë kërkesa për kredi se sa për fonde, dhe si i tillë më shumë parapëlqen kredi biznesi kundrejt atyre konsumuese. Kjo për faktin se kreditë konsumuese sipas tij, nuk sigurojnë të ardhura të rregullta për familje.
E sektorët që Start-i përkrah më shumë dhe që në të njëjtën kohë janë më të kërkuarit nga klientët e Start-it për kredi, janë sektori i shërbimeve, ai i tregtisë, bujqësisë, blegtorisë si dhe ai i ndërtimit.
Sipas vlerësimit të këtij institucioni mikrofinanciar, tregu i Kosovës do të mirëpriste çfarëdo konkurrence të shëndoshë të këtyre institucioneve, pasi do të sigurohej edhe një treg iu shëndoshë për klientët. Ata pohuan se ka një rritje të interesimit të kosovarëve për këto institucione bankare islame, njësoj siç po ndodh edhe në të gjithë botën.
Por, BQK-së, sipas tyre iu duhet që ta përgatisin një rregullore për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare islame në mënyrë që të mundësojë veprimtarinë e tyre në formë të drejtë, efektive, dhe transparente, sidomos për banka islame, të cilat mund të kenë një gamë të gjerë të shërbimeve, përderisa institucionet mikrofinanciare kanë vetëm shpërndarjen e kredive.
Sipas Milazim Abazit, nëse do të licencoheshin banka sipas parimit të bankingut islam, sigurisht se do të përfitonin një pjesë e qytetarëve të Kosovës që deri tani nuk iu kanë qasur bankave komerciale sepse një pjesë e qytetarëve kanë bindjen e plotë se interesat e kredive në banka janë në kundërshtim me besimin e tyre fetar. Ai thotë se nëse themi se 20% e qytetarëve të Kosovës do të gjenin zgjidhje për financimin e bizneseve të tyre nëpërmes bankave, që operojnë sipas parimeve të bankingut islam, atëherë ai beson se arsyeshmëria për të licencuar banka të tilla është e argumentuar dhe se duhet të licencohen. Por, Abazi theksoi se paralelisht me licencimin e këtyre institucioneve, edhe BQK-ja duhet të fitojë kompetencë profesionale. /Buletini Ekonomik/