Haki Abazi i Vetëvendosjes kishte vizituar arkivat e ushtrisë serbe, vitin që Kosova ishte shpallur shtet i pavarur, raporton Express.
Dje u raportua se ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi, ka pasur zyrë në kryeqytetin e Serbisë në Beograd, gjatë kohës sa punonte për “The Rockefeller Foundation”.
“Juve personalisht keni pasur zyrën në Beograd kur punonit për The Rockefeller Foundation’? Nuk e di pse duhet të vendosemi në nivelin personal sepse kemi të bëjmë me përmbajtjen dhe jo me simbolikën ku ka qenë zyra’, tentoi t’i ikte pyetjes Abazi, të cilit Kokalari iu përgjigj se ‘’ke qenë zëvendëskryeministër, asgjë s’është më personale”.
“Sa vjet e keni pasur në Beograd zyrën tuaj personale, atë dua të di”? Dua të di se ku qëndron politikisht, je nga e majta apo nga e djathta’, shtoi ajo.
Pas këtij raportimi, kanë dalur të dhëna të reja për Haki Abazin në Beograd. Në një njoftim të Institutit për Kërkime Strategjike, i publikuar në vitin 2008, thuhet se Abazi bashkë me anëtarët e tjerë të Rockfeller Foundation kishin vizituar edhe arkivat e ushtrisë serbe.
Në këtë vizitë, delegacioni u shoqërua edhe nga Sekretari i Shtetit, Dushan Spasojeviç dhe Shefi i Shtabit Aleksandar Skakić.
“Një delegacion i Fondit të Vëllezërve Rockefeller, i përbërë nga Richard Rockefeller, Stefan Broadhead Heinz, Elizabeth Campbell, Ariadna Papagapitos dhe Haki Abazi, vizituan Arkivat Ushtarake më 15 tetor 2008. Delegacioni përfshiu gjithashtu të dërguarin e mbrojtjes së Mbretërisë së Norvegjisë, Nënkolonel Terje Haverstad dhe drejtorin ekzekutiv të Institutit Jefferson, Aaron Presnal. I shoqëruar nga Sekretari i Shtetit, Dushan Spasojeviç, MA dhe Shefi i Shtabit Aleksandar Skakić, delegacioni vizitoi pjesën e Arkivit Ushtarak ku kryhet dixhitalizimi i materialit arkivor”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e këtij instituti./Express