Arrihet marrëveshja për përdorimin e rrugëve që kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit
Me ndërmjetësimin tim dhe me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, z. Nicola Orlando, e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi, u arrit marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.
Mekanizimi i përhershëm i implementimit dhe mbikëqyrjes (Këshilli i Implementimit dhe Mbikëqyrjes) mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (nr. 03/L-039) ka miratuar termet e kësaj Marrëveshjeje dhe kështu i është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për implementim.
Kam qenë i përkushtuar qysh në fillim që të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes sa më të mirë dhe të pranueshme, e cila ndihmon lëvizjen e lirë të qytetarëve, si liri e garantuar, por edhe të respektojë dhe të mbrojë trashëgiminë religjioze dhe kulturore të asaj zone.
Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj.