Situata epidemiologjike në vend është rënduar gjatë ditëve të fundit. Vetëm gjatë kësaj jave, janë regjistruar 65 vdekje nga kjo sëmundje. Personi më i ri në moshë që ka vdekur në shtatë ditët e fundit është i moshës 46-vjeçare. Por, sa është mosha mestare e viktimave nga koronavirusi gjatë këtyre ditëve?
Tetë persona nga katër komuna të vendit e kanë humbur betejën me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Këto raste të vdekjes janë regjistruar në Prizren, Gjilan, Prishtinë dhe Suharekë. Personi më i ri që ka vdekur është i moshës 60-vjeçare, derisa më i vjetri i moshës 89-vjeçare.
Me këto raste, numri i vdekjeve vetëm gjatë kësaj jave ka arritur në 65, derisa që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 784 raste të vdekjes.
Gazeta Express ka analizuar raportet e javës së fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ku tregohet edhe mosha e viktimave. Bazuar në këto raporte, mosha mesatare e viktimave nga kjo sëmundje gjatë këtyre shtatë ditëve është 69.8.
Personi më i ri që ka vdekur gjatë këtyre ditëve nga koronavirusi është i moshës 46-vjeçare.
Ndryshe, gjatë dy javëve të fundit është rritur numri i rasteve pozitive me COVID-19. Pas rritjes së numrit të të prekurve, Qeveria është detyruar që t’i shtrëngojë masat.
Për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje, janë vendosur kufizime të reja nëpër komunat e vendit, varësisht prej numrit të të infektuarve.
Të gjitha komunat kategorizohen në tri grupe sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit: komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100.000 banorë brenda një javë), komunat me rrezik të mesëm (nga 76-150 persona të infektuar për 100.000 banorë) dhe ato me rrezik të lartë (mbi 150 persona të infektuar për 100.000 banorë).
Me masat e reja, kufizohet lëvizja, bizneset mund të punojnë në orare të caktuara, transporti publik mund të funksionojë duke shfrytëzuar vetëm deri në 50% të kapaciteteve e taksitë mund të punojnë vetëm me një pasagjer.
Kufizime në orarin e punës do të ketë edhe për qendrat tregtare, veprimtaritë e hotelerisë dhe gastronomisë, aktivitetet kulturore, aktivitetet sportive, derisa institucionet private dhe publike duhet të punojnë vetëm me staf esencial.
Këto masa do të hyjnë në fuqi nesër në orën 18:00, derisa ata që nuk i respektojnë do të gjobiten sipas Ligjit Nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre masave obligohen Policia e Kosovës dhe inspektoratet.Express