VV Suharekë: Besa Kuqi injoron mësimdhënësit, ofron të gjitha kapacitetet shëndetësore për bashkëpartiakun Kuçi

Lëvizja Vetëvendosje dega në Suharekë ka reaguar lidhur me postimin e bërë mbrëmë nga drejtoresha e Shëndetësisë në Suharekë znj.Besa Kuqi, në llogarinë e saj në Facebook.
Ku ndër të tjera është shprehur se me të gjitha kapacitetet tona si drejtori jemi në shërbimin tuaj z.Ministër.
LVV-Suharekë i ka reaguar ashpër drejtoreshës së Shëndetësisë duke e akuzuar atë se ajo po hesht për gjendjen e drejtuesve, mësimdhënësve dhe fëmijëve në shkolla, e i ofron shërbime të veçanta bashkëpartiakut Blerim Kuçit.

Ky është postimi i plotë:

Drejtoresha e Shëndetësisë në Therandë, Besa Kuqi, hesht për gjendjen e drejtuesve, mësimdhënësve dhe fëmijëve në shkolla, e i ofron shërbime të veçanta Blerim Kuçit.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka njoftuar që Blerim Kuçi është prekur nga COVID-19, dhe ka ofruar të gjitha kapacitetet e drejtorisë në shërbim të Ministrit Kuçi.

Aktualisht në Komunën e Therandës është një numër i madh i mësimdhënësve të prekur nga Covid-19, për të cilët jo që nuk ofrohet ky shërbim i nevojshëm por madje po mbahen në heshtje.

Ky privilegj që është bërë, është diskriminues për qytetarët e tjerë të Komunës sonë të prekur nga Covid-19, dhe tregon më së miri se sa selektiv është trajtimi i të prekurve nga ky virus.