Vdes 22-vjeçari nga Kosova në Suedi në aksident trafiku

Vatan Rama, një 22-vjeçar nga Botusha e Koshares ka vdekur si pasojë e një aksidenti tragjik në Suedi.

Vatani ishte i vetmi djalë në familjen Rama, kështu ka bërë të ditur një familjar i tij, përmes një postimi në Facebook.

“Miq, shokë dhe dashamirë ju njoftoj për nipin tonë VATAN RAMA, tragjikisht humbi jetën në një aksident trafiku në Suedi. E lus Allahun të jesh banor i xhenetit nipi jonë, ishe I vetmi djalë në familje, i hasretit, na e këpute shpitin dajë”, ka shkruar një familjar i tij.

Mediat suedeze kanë treguar se makina e të riut ishte përplasur më një kamion. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 19:00 në një austradë të Suedisë. Policia ka treguar se ishin dashur plotë katër orë për t’u marrë me gjithë ngjarjen.

“Përplasja ndodhi në një drejtim të jugut në Lagan. Makina ngeci në pjesën e pasme të kamionit dhe u desh që policia dhe shërbimi i shpëtimit të punonin deri në orën 23:00 që të përfundonin punën e tyre në zonë”, thuhet në një media suedeze.

Policia ka dhënë edhe disa detaje që dyshohet se kanë çuar deri tek aksidenti. Sipas tyre, i riu nuk e kishte kuptuar me kohë që kamioni që ndodhej para tij kishte frenuar, dhe kështu ishte përplasur.

Christer Fuxborg zëdhënës i Policisë suedeze në atë rajon ka treguar se tashmë kanë filluar edhe hetimet, për të mësuar shkaqet e aksidentit. Është marrë edhe makina e viktimës për të hetuar nëse ka pasur ndonjë problem teknik.